Ajo jetonte vetëm me të ëmën në një fshat të izoluar në veri të Shqipërisë, që të ofron pak mundësi për të siguruar jetesën. Babai dhe i vëllai shpeshherë i dhunonin, atë dhe të ëmën, ndaj autoritetet shtetërore morën masa që ata të qëndronin larg tyre. Kështu e gjetën veten në varfëri të skajshme, të izoluara dhe të diskriminuara nga komuniteti ku jetonin. Për to, gjithsesi, edhe nëse hanin bukë thatë, ishin shumë më mirë dhe më të sigurta pa burrat e shtëpisë.
Mamaja e Kleas punonte, pastronte shtëpitë e komshinjve për të siguruar sado pak të holla që bashkë me të bijën të mos flinin me barkun bosh. Ajo ëndërronte që e bija të vazhdonte shkollën dhe e ardhmja e saj të ishte shumë e qetë dhe më e lumtur se e shkuara, por në rropatjet e saj për të siguruar ushqim, pa dashje po e neglizhonte.
Klea shpesh ishte vetëm në shtëpi, sepse e ëma duhej të punonte. Kohën që kalonte vetëm, Klea filloi ta plotësonte me miq të rinj. Për herë të parë në jetë, Klea kishte mundësinë të shëtiste në një makinë të bukur, të porosiste çfarë të dëshironte në një bar-kafe pa menduar më gjatë, nëse kishte mjaftueshëm para për të paguar.
E ëma nuk e kishte pikasur ndryshimin tek e bija, por psikologia e shkollës kishte vënë re mungesat e pajustifikuara në orët e mësimit si dhe sjelljen e pazakontë për të. Për këto arsye ajo vendosi të verifikojë dyshimet e saj pa ia bërë të ditur nxënëses. E pa të hipte në një makinë, me një djalë më të rritur se ajo. U alarmua. Ajo ndau me stafin e World Vision, situatën në të cilën gjendej Klea. Menjëherë u raportua rasti tek shërbimi social në qytet. U zhvillua një takim, ku mes të tjerësh rol kryesor kishte policia dhe sektori i anti-trafikut.
Autoritetet ndërhynë dhe pas analizave të kujdesshme ato arritën në përfundimin se djali që shoqërohej Klea kishte qëllime trafikimi. 17 vjeçarja nuk kishte mundur t‘i kuptonte synimet e tij dashakeqe. Ajo i kishte besuar premtimeve të tij. Brenda pak ditësh, djaloshi u arrestua.
Për Klean, ky ishte një tjetër zhgënjim. Psikologia nuk u mjaftua me verifikimin dhe raportimin e rastit. Ajo zhvilloi disa seanca terapie me Klean, në mënyrë që situata e vajzës adoleshente të mos përshkallëzohej më tej, por të ishte shkas për një fillim të ri.
Kanë kaluar disa kohë që prej atëherë dhe Klea ka filluar të ndjekë vitin e parë të fakultetit, por sa herë i jepet mundësia ajo angazhohet për të informuar mbi strukturat dhe referimin e situatave të dhunës.
Rreth 100 punonjës së mbrojtjes së fëmijëve në 13 Bashki po trajnohen në “Akademinë e ligjit për profesionistët që punojnë me fëmijët për përmirësimin e mekanizmave lokale të mbrojtjes së fëmijëve” në lidhje me aspekte të mbrojtes sociale, shërbimeve shoqërore për kategoritë në nevojë të shoqërisë, si dhe financimit të këtyre shërbimeve për t’ju përgjigjur sa më mirë nevojave të identifikuara në planet sociale vendore të bashkive.
World Vision, edhe në kuadër të fushatës “Duhet një botë e tërë për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve”, po investon në ngritjen dhe funksionimin e Hapësirave Zhvillimore për fëmijët me Aftësi të Kufizuara; Hapësirave Miqësore në Komisariate; Qendra të Shërbimit të Emergjencës në Durrës dhe në Dibër; Qendra Multifunksionale në Shkodër; Qendra Rinore në Kurbin; Qyteza e Fëmijëve në Korçë.
#ItTakesaWorld #Muajiantitrafik #jetënëplotësipërçdofëmijë #socialinclusion #WorldVisionAlbaniaandKosovo
*Emrat e personazheve dhe vendndodhja janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e vërtetë të personave që kanë përjetuar historinë.