Në ndihmë të familjeve të përmbytura

lavderim

“Shtëpia është përmbytur, uji ka hyrë brenda dhe dhe nuk jetohet për momentin. Tarraca e shtëpisë rrezikon të shëmbet. Unë kam dy fëmijë të vegjël dhe të gjithë jemi strehuar tek të afërmit”, rrëfen Lavdërimi. Ai është babai i dy fëmijëve të vegjël dhe jeton në një shtëpi të vjetër në Bathore.

Ai dhe 4 pjesëtarët e tjerë të familjes së tij i kanë kaluar dy ditët e fundit duke pastruar dhe sistemuar shtëpinë e përmbytur nga reshjet e shiut.

 “Vetëm pastrimi i kanalit mund të na zgjidhë punë ne. Çdo vit, shtëpitë tona përmbyten nga shirat sepse kanali është i bllokuar.” – thotë Lavdrimi.

World Vision në bashkëpunim me Bashkinë Kamëz po punon për pastrimin e kanalit që ka shkaktuar përmbytjen e një prej lagjeve të Bathores, si dhe ka vijuar të mbështesë me paketa ushqimore dhe batanije, 70 familje në Kamzë dhe Bathore, të cilat janë prekur nga përmbytjet.

Rreth 220 familje kanë raportuar në Bashkinë Kamëz se janë përmbytur nga shirat e rrëmbyer të natës së 23 shtatorit.

Gjatë 20 viteve, mbi 3939 familje janë ndihmuar nga World Vision në mënyrë të drejtpërdrejtë në raste emergjencash.