“Kur beson fort tek vetja jote, edhe pse je “i ri”, ti mund t’ia dalësh,” – këto janë fjalët e Sadetes. Ajo sot është një nga drejtueset vullnetare të grupeve të të rinjve në Dibër, gjë që e bën prej 6 vitesh. Angazhimin në këtë grup e nisi si një nga të rinjtë e përfshirë në programet e World Vision Albania, një dekadë më parë.
Në vitin 2011 ishin vetëm 35 të rinj dibranë që identifikuan se në komunitetin e tyre mungonin aktivitetet psiko-sociale dhe edukative për fëmijët dhe të rinjtë; se kishte mungesë informacioni dhe ndërgjegjësimi për dhunën; se vajzat paragjykoheshin dhe përfshiheshin shumë pak në aktivitete jashtë shtëpisë gjë që bashkëshoqërohej dhe me martesat e hershme si dhe kishte mungesë vëmendjeje të strukturave lokale ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Shumë nga të rinjtë e përfshirë ndonëse vinin nga komunitete më problematikat e përmendura, theksonin gjithnjë e më shumë mungesën e programeve apo mundësive ku të rinjtë mund të përfshiheshin për të rritur njohuritë, aftësitë dhe të kalonin kohën në mënyrë të shëndetshme. Sadetja ishte njëra prej tyre.
“Për World Vision në fakt dëgjova për herë të parë nga një mikesha ime e cila më tha që mund të regjistrohesha si vullnetare nëse kisha dëshirë. Në atë periudhë isha studente në degën psikologji –sociologji. Isha e martuar dhe isha nënë e një vajze dy vjeç. Une jam martuar sapo përfundova gjimnazin dhe nuk pata kohë që t’i mundësoj vetes disa gjëra që pasi krijon familje bëhen më të vështira t’i arrish. Fatmirësisht, në Dibër u hap filiali i një universiteti dhe unë nisa studimet. Por përveç kësaj dhe familjes, deri atëherë nuk kisha gjetur ndonjë mundësi punësimi, ose që të bëja ndonjë trajnim apo kurs që të bëja diçka ndryshe, të mësoja diçka të re apo të kisha eksperienca që më rrisnin mua si individ, si qytetare apo dhe si profesioniste në të ardhmen. Në atë periudhë, mendoj se si për mua dhe për shumë të rinj të tjerë ishte luks dhe shumë sakrificë të shkoje në universitet, ndaj çështje të tilla si vullnetarizmi apo angazhimi në nisma komunitare nuk ishin gjëra që njerëzit i shihnin si të rëndësishme,” – tregon ajo për fillimet e angazhimit të saj në grupet rinore në Dibër.
Të trajnuar për Zërin dhe Veprimin Qytetar, ato nisën të zbatonin nismat e para që u fokusuan në rregullimin dhe sistemimin e dy kopshteve dhe shkollave në fshatra dhe angazhimin e fëmijëve në aktivitete edukative. Shumë shpejt u rrit interesi i të rinjve për t’iu bashkuar këtyre grupeve dukë bërë që në 2013 të bëheshin, 300 të rinj aktiv që zbatonin aktivitete të ndryshme në komunitetet me problematika të ndryshme psiko-sociale në Dibër.
“Nisma e parë që grupi ynë zbatoi ka qenë për zbulimin e talenteve në shkollat 9-vjecare, dhe patëm mundësi ti ofronim fëmijëve një hapësirë për të shprehur veten, për të sfiduar dhe për tu sfiduar, për tu socializuar me të tjerët si dhe për tu argëtuar. Sado që kërkonte angazhim dhe punë, e kam shijuar çdo hap të kësaj nisme. Në aktivitetin përmbyllës të nismës kur do përzgjidheshin fëmijët fitues për secilën kategori të talenteve kishte përfaqësues të Liceut Artistik Jordan Misja të cilët ishin pjesë e jurisë. Dhe ka qenë e pabesueshme kur ato vendosën që njërin nga fëmijët pjesëmarrës ta pranojnë të ndjekë shkollën e tyrë në pikturë, duke tejkaluar edhe procedurat e konkurimit në lice,”- thotë Sadetja.
Ajo e vijon rrëfimin me vështirësitë që kishin të rinjtë e veçanërisht vajzat që të merrnin vetë vendimin për t’u përfshirë në aktivitete sociale e komunitare. Mentaliteti i rrethit familjar dhe shoqëror i vështirësisht i pranonte aktivitete të tilla.
“Të jem realiste, në momentin kur unë u regjistrova, edhe nga njerëzit e mi të afërt ishte shumë në pikëpyëtje fakti se ç’po bën ti aty. Një nënë e re që ke angazhime shumë të mëdhaja, që je dhe me studime e bëhesh vullnetare, pa marrë asnjë gjë në këmbim në formë monetare dhe ti harxhon kohën tënde për të qenë pjesë aty. Dhe të them të drejtën, po ashtu jam gjykuar dhe ndihesha keq kur më thonin që ti le angazhimet familjare e vjen e merresh me takime. Dhe vazhdimisht jam përpjekur t’iu shpjegoj pikëpamjen time se pse ajo që po bëja ishte e rëndësishme. Dhe fillova të mos e vrisja shumë mendjen se çfarë thonin apo mendonin të tjerët për mua, unë vazhdoja të bëja atë që mendoja se ishte e drejtë për mua. Familja ime më bësonte dhe kjo ishte mjaftueshëm për mua. Pastaj rezultatet e nismave që jam përfshirë kanë qënë një ndihmë e madhe sepse kanë qënë të tjerët prova e vlefshmërisë që përfshirja ime, apo vendimi që kisha marrë ishte i duhuri.
Dhe në fillim kur isha lidere e grupit IMPACT ishte shumë e vështirë përfshirja e vajzave sepse vinin nga zona shumë të thella të Dibrës. Më është dashur shumë kohë që të komunikoja me prindërit, t’iu tregoja se çfarë bënim, sepse atëherë të rinjtë kishin dhe lëvizje jashtë zonës për të shkëmbyer ekspserienca me të rinj të tjerë dhe ishte shumë problem se si të bindje familjen të merrje leje. Por pastaj të rinjtë filluan të përshtaten dhe i ndanin gjërat dhe me familjet e tyre se çfarë bënin në grup, dhe në fakt filloi dhe të rritej numri i vajzave në grup dhe vinin e më thonin të tjerë, kur do kemi dhe ne mundësi të jemi pjesë e grupit,”- vazhdon të tregojë ajo.
Pavarësisht mentalitetit, Sadetja dhe shume të rinj të tjerë u angazhuan aktivisht dhe me përkushtim zbatuan aktiviteteve dhe projekte që synonin ndërgjegjësimin, informimin dhe përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në çështje që preknin jetën e tyre.
“Ne organizoheshim brenda grupeve, ndanim rolet dhe përgjegjësitë dhe shkonim në shkolla në fshatra, takonim fëmijët dhe i trajnonim dhe informonim për të drejtat e tyre, ushqyerjen e shëndetshme, kujdesin ndaj mjedisit, mbrojtjen ë fëmijëve. Pak kohë më disa nga të rinjtë më aktivë u përfshimë duke punuar më specifikisht në Vitin e Familjes (nismë e zyrës në Dibër për punën më familjet) ku rregullisht çdo muaj takoheshim më disa familje dhe trajtonim tema të ndryshme që kishin në fokus mirëqënien e fëmijëve dhë familjeve. Dhe sigurisht në gjithë këto aktivitete mësuam shumë gjëra dhe fituam shumë aftësi,”- shton ajo.
Jo shumë vonë, këto aftësi të fituara, i mundësuan asaj eksperiencën e parë të punës në kampet verore të fëmijëve që World Vision organizonte. E nisi aty dhe më pas, me përfundimin e studimeve, ajo u bë Drejtoreshë e Konviktit të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rrushiti” dhe po në të njëtën shkollë ajo sot është psikologe.
“Atë kohë na dukej ishte e vështirë, që sidomos një vajzë e re dhe me angazhime familjare të dilte cdo ditë ose shumë shpesh gjatë javës për të shkruar në fshatra, duke takuar fëmijë e familje. Ajo harxhonte shumë kohë nga dita e saj për diçka që nuk paguhej, por edhe që njerëzit mund të flisnin, si kudo mendoj. Gjatë kësaj kohe shihnim se Sadetja po bëhej më e shkathët, kishte një grup miqsh shembull, ndihmonin shumë fëmijë dhe familje, por sidomos kur ajo vetë më forcat dhe aftësitë e veta, pa e ndihmuar askush, u punësua gjatë verës në kampet verore dhe disa herë është marrë me kontratë nga World Vision për punë të ndryshme. Dhe normal u gëzuam shumë por edhe e kuptuam që e kishim pasur gabim. Vetëm i kemi thënë: “Bravo, kishe pasur të drejtë që këmbëngulje për këtë gjë,” – shprehet mamaja e Sadetes kur e pyesim për fillimet e Sadetes në grupet e të rinjve.
Edhe pse një vajzë që shkonte derë më derë në fshatra për të takuar fëmijë për regjistrime dhe aktivitete; jo rrallëherë përballej me paragjykimet e komunitetit. Megjithatë këmbëngulte për gjërat që donte, studionte dhe kujdesej për familjen e saj, përsëri besimi në vetvete i luhatej kur bëheshin takimet e grupeve rinore, sepse nuk ndihej i sigurt që opinionet dhe mendimet e saj ishin të vlefshme.
“Në fillimet e mia, e kisha shumë të vështirë në fakt të jepja mendimin tim për gjërat që kërkoheshin. Kur kthehesha në shtëpi reflektoja me veten se pse në momentin që u bë kjo pyetje nuk u përgjigja sepse unë e dija shumë mirë se cfarë duhet të thoja, dhe edhe pse studioja për psikologji. Me kalimin e kohës, përvecse po bëhesha shumë aktive në diskutimet e ndryshme që bëheshin, fillova që të merrja edhe disa tipare të liderit. Sot unë jam liderja e një grupi IMPACT dhe shoh shumë vajza e djem të rinj që më kujtojnë veten time në atë kohë dhe përpiqem që cdo moment t’i nxis dhe t’i motivoj të shprehin mendimet, të përfshihen dhe të nxjerrin më të mirën nga vetja e tyre. Prandaj kemi plotë rastë të të rinjve që kanë ngritur zërin në bashki dhe në insitucione të tjera për problematika, kanë bërë që inistucionet të jenë bashkëpunëtorët e tyre në projektet komunitare dhe kanë lënë plot nisma e shembuj pozitivë për komunitetin e tyre” – thotë ajo.
Sadetja tregon se gjatë gjithë kësaj kohe ka parë të ndryshojnë shumë aspekte të formimit të saj si individ dhe të rinjve të tjerë ndër vite.
“Më vjen shumë mirë kur shoh që pjesa më e madhe e të rinjve që kam takuar ndër vite kanë përfunduar studimet dhe kanë arritur dhe të punësohen. Ti arrin ta bësh dallimin e këtyre të rinjve që nga mënyra si komunikojmë, si bëhen pjesë e një debati dhe japin argumentet e tyre, nga mënyra se si i ngrenë shqetësimet dhe zërin. Janë gjëra bazike, por më domethënëset për një qytetar të përgjegjshëm që i nevojitet shumë shoqërisë sonë,” – thekson Sadetja mbi impaktin e përfshirjes se të rinjve në grupet rinore që drejton World Vision Albania.
Kur e pyet Sadeten për momentin më të paharrueshëm nga gjithë kjo dekadë e përfshirjes dhe angazhimit në World Vision, ajo kujton një nga trajnimet e marra, i cili e ka bërë atë të reflektojë akoma kësaj dite vlerat dhe aftësitë e saj, dhe forcën që ka për ndryshuar çdo gjë.
“Mbaj mend një trajnim që kam marrë dikur, ku lehtësuesi më dha një detyrë dhe pasi e mbaruam, më tha: ‘Merre me vete dhe lexoje në shtëpi dhe reflekto për ato gjërat e mira që ke dhe nuk i ke nxjerrë akoma’.
Ka qenë shumë interesante dhe për tu mbajtur mend sepse dhe sot e kësaj dite, sa herë ndjej që diçka nuk shkon, unë e marr atë detyrë, e lexoj dhe përsëris gjërat që i kam thënë në atë letër. Kështu i kujtoj vetes aftësitë e mia, kush jam unë dhe nëse unë besoj fort tek vetja ime, ia dal me sukses dhe i bëj gjërat shumë mirë. Këtë ia kam thënë vetes çdo herë që kur isha ne grupin e të rinjve, ua kam thënë dhe grupeve të të të rinjve,”- dhe me këtë mesazh e mbyll Sadetja rrëfimin për rrugëtimin e saj mes sfidës dhe paragjykimit si një vajzë e re, por padyshim të vyeshëm dhe jetëndryshues në grupet rinore të World Vision.
Nevojat që të rinjtë kanë për t’u socializuar më shumë, për t’u shkëputur nga teknologjia dhe për të investuar në rritjen e njohurive, aftësimin për jetën, për të pasur më shumë vëmendjen e prindërve dhe të strukturave për vështirësitë që ato identifikojnë në komunitetin e tyre në gjithë procein e tranzicionit të moshën madhore vazhdojnë të trajtohen dhe adresohen nëpërmjet modelit të IMPACT dhe punës së World Vision për 230 të rinj në Dibër.
Sadetja beson fort se të rinjtë dibranë dhe jo vetëm, janë një zë shumë i fuqishëm i ndryshimit, por thjesht kanë nevojë për nxitje, ashtu siç ka pasur ajo në fillimet e saj. Duan pak nxitje, motivim dhe dikë që t’i shtyjë në gjetjen e vetvetes, e më pas çdo ndryshim vjen natyrshëm.