Koalicioni Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijve
Tiranë, më 10/08/2016
Me anë të kësaj deklarate, ne Anëtarët e Koalicionit BKTF, shprehim keqardhjen tonë për vdekjen e Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që ndërroi jetë më 6 gusht 2016 në Landfillin e Sharrës, gjatë punës në procesin e përpunimit të plehrave.
Koalicioni BKTF kërkon të sjellë në vëmendjen e publikut që, sipas legjislacionit në fuqi (nenit 99 dhe 103 të Kodit të Punës), fëmijët nën moshën 18 vjeç nuk mund të punësohen me kohë të plotë ose gjatë orëve të natës, pa certifikimin e mjekut, në punë që dëmtojnë shëndetin, zhvillimin fizik, psikologjik, moral dhe social.
Kushtet e punës në Landfillin e Sharrës janë të tilla që dëmtojnë shëndetin e fëmijës, janë degraduese për dinjitetin e tij/saj dhe rrezikojnë jetën e tij, si në rastin e vdekjes së Arditit.
Koalicioni BKTF po ndjek me vëmendje procesin gjyqësor ndaj shoqërisë së ngarkuar me përpunimin e plehrave dhe është në pritje të vënies së personave përgjegjës përpara përgjegjësisë penale.
Ne kërkojmë që Inspektorati Shtetëror i Punës të kryejë funksionet e tij ligjore, në mënyrë proaktive, të ushtrojë kontrollet në mjediset ku dihet publikisht që ka përqendrim të madhe të krahut të punës, sidomos fëmijëve, dhe mbi të gjitha të referojë në kohë te strukturat e mbrojtjes së fëmijëve të rasteve të tilla.
Ne duam të ngremë fuqishëm shqetësimin tonë për sa i përket punësimit të fëmijëve. Sipas raportit të vitit 2015, punuar nga Save the Children dhe institucioni i Avokatit të Popullit mbi punën e fëmijëve në Shqipëri, rezulton se 54 000 mijë fëmijë në Shqipëri janë në situatë punë, prej te cilëve 32 400 janë djem dhe 21 600 vajza[1].
Këto shifra alarmante janë dëshmi e pranisë së fenomenit masiv të punësimit të fëmijëve, reduktimi dhe zhdukja e të cilit duhet të jetë fokusi kryesor i institucioneve përgjegjëse.
Anëtarët e Koalicionit BKTF:
1. World Vision Albania and Kosov
2. Terre Des Hommes in Albania and Kosovo
3. Save the Children Albania
4. Paqe nëpërmjet Drejtësisë
5. Fëmijët e Botës dhe Shqipërisë
6. Qendra Psikosociale Vatra
7. RMSA/ICMC
8. Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara
9. Ndihmë për fëmijët
10. Shoqëria për Ndihmën Ligjore Tiranë, TLAS
11. ARSIS
12. Shkolla Kombëtare Edukim për jetën, SHKEJ
13. Partnerë për Fëmijët
14. ADRA Albania
15. Caritas
16. Amarodrom
17. Roma Active Albania
18. SOS Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri
19. Qendra “Fëmijët Sot”
20. CRCA