Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, me mbështetjen e World Vision Albania, ka nisur konsultimet për rishikimin e ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë” dhe ligjin nr. 45/2016 “Për Vullnetarizmin”.
Workshop-i i parë u mbajt në Tiranë dhe u hap nga Debora e grupeve IMPAKT të WVA, ndërsa bëri bashkë dhjetëra të rinj, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC), rinore dhe për të rinjtë, Këshillit Kombëtar të Rinisë, Këshillave Vendore Rinore, organizatave rinore ombrellë, Këshillave Studentorë, si dhe ekspertë e studiues në fushën e rinisë, në një diskutim të hapur dhe të strukturuar lidhur me arritjet, problematikat dhe nevojat për rishikimin e ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë”.
Procesi nisi me katër tryeza pune të dedikuara për kompetencat institucionale, organizimin dhe veprimtarinë e strukturave rinore, financimet për rininë, dhe kushtet për aktivizimin dhe mbështetjen e të rinjve.
I gjithë procesi do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me të rinjtë dhe organizatat e shoqërisë civile, duke mbajtur në konsideratë komentet dhe sugjerimet e tyre.
Gjatë ditëve në vijim do të zhvillohen takime konsultuese në disa qytete të Shqipërisë, për të mbledhur mendimet dhe kërkesat e të rinjve dhe organizatave rinore.
Rishikimi i ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë” dhe ligjit nr. 45/2016 “Për Vullnetarizmin”, janë pjesë shumë e rëndësishme e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 dhe Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2024-2026, duke synuar të adresojnë kërkesat e përsëritura të aktorëve që veprojnë në fushën e rinisë.