Mike përtej oqeanit

Desara Hysa (1)

“Unë quhem Desara dhe jam 17 vjeçe. Ne jemi me origjinë nga Burreli, por familja ime u shpërngul në Durrës për një jetë të mirë. Këtu në fakt, nuk ka qenë dhe aq e lehtë. Nuk ka punë, shpesh s’ka as ujë dhe drita, rrugët janë të pashtruara dhe shumë kanale janë të hapura. Unë e kisha humbur shpresën se gjërat mund të përmirësohen, sepse askush nuk i hedh sytë nga periferia.

Në vitin 2012 në zonën tonë filloi të punonte World Vision. U bëmë më aktivë e më socialë. Më pëlqente të isha pjesë e aktiviteteve. Aty mësova mbi projektin e letërkëmbimit*. Unë u njoha me një mike, që quhet Kristin. Duke shkëmbyer letra, mësojmë për kulturën, traditat dhe mënyrën e jetesës së njëra-tjetrës. Kristin jeton me dy vajzat dhe bashkëshortin, në Amerikën e Veriut. Ajo ka qenë afër meje edhe pse ndodhet shumë larg dhe më ka ndihmuar me këshillat e saj. Unë i shkruaj në anglisht letrat që i dergoj dhe kjo më ka ndihmuar, pasi nga ajo mësoj shumë fjalë të reja. Letrat që ajo më nis janë mbi 3 faqe sepse ne kemi shumë për t’i thënë njëra-tjetrës. 

(Dasara dhe mikja e saj, Kristin)

Ajo më ndihmoi edhe për syzet që mbaj dhe falë të cilave shoh më mirë. Familja nuk mund të m’i blinte, ndërsa unë kisha turp t’i mbaja. Mikja ime Kris, më mbështeti si gjithmonë. Më kujtohet çfarë më tha: “Vajza ime ve një palë syze vetëm që të duket më interesante”. Ajo është bërë pjesë e familjes sonë tani. E kujtojmë, e falenderojmë dhe lumturohemi kur ajo dhe familja e saj janë të gëzuar. Ajo erdhi të më vizitonte këtë verë. Unë dhe familja ime kaluam një ditë të tërë me Kris”.

*** 

Projekti i sponsorizimit ose i njohur ndryshe edhe si projekti i letërkëmbimit mundëson që miq nga vende të ndryshme të zhvilluara të mbështesin zbatimin e programeve tona (edukim, mbrojtje e fëmijëve dhe rini) për mirëqenien e fëmijëve dhe komuniteteve më në nevojë. Këta miq janë në radhë të parë partnerë që kanë për zemër të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve në nevojë. Fëmijët që përfshihen në këtë projekt kanë mundësi të shkëmbejnë letra me miqtë e tyre jashtë vendit.