“Mësova të eci në rrugën time”

20148751_10210044769702908_959063593_o

Në Skroskë të Librazhdit, jeton Alesia. 9-vjeçarja, lindi me paralizë cerebrale. Por kjo nuk e ka penguar të jetë e para e klasës, apo të shkëlqejë në orën e matematikës. E ëma,  Zhaneta, e merr çdo mëngjes në shpinë dhe bashkë përshkrojnë rrugën e gjatë prej 40 minutash deri në shkollë.

Kur bie zilja, të gjithë vrapojnë të dalin jashtë, marrin diçka për të ngrënë e rrinë në oborr deri sa të fillojë mësimi. Ajo nuk mundet.

Është munduar të lëvizë këmbët me forcën e dëshirës për të qenë si ata, por nuk ka mundur. Ato e kanë lënë gjithnjë në baltë. Kur kthehen në klasë shokët e pyesin nëse do diçka për të ngrënë. Ajo do. Ata vrapojnë sërish për t’i blerë diçka. Ajo pëlqen të ëmblat. Kur ata kthehen, ndonjëherë ajo ka kohë të hajë, ndonjëherë bie zilja dhe ajo e fut ushqimin poshtë bangës.

“Kur mbaron mësimi, ata vrapojnë për të shkuar në shtëpi. Unë rri ulur dhe pres mamin.”– tregon ajo.

E ëma nuk vonon kurrë. Ajo e e mer në krahë e mbështetur tek njëra-tjetra të kthehen për në shtëpi. Ato nuk ndalen as kur rruga është me baltë nga shiu apo e rrëqitshme nga dëbora.

Alesia ishte vetëm 3 muajshe kur u diagnostikua me paralizë cerebrale. “Kur të rritem, dua të bëhem mësuese matematike”- tregon ajo dhe vrapon të marrë fletoren e detyrave ku ka vetëm “Shkëqyeshëm”.

Zhaneta tregon se pas tre vajzave ata prisnin të gëzoheshin me djalë, por në jetë erdhi Alesia e cila sipas mjekëve nuk do të mund të ecte kurrë. “M’u përmbys dynjaja! Nuk e besoja dot! Mendoja, mos po gabohen këta? Mos m’i kanë ngatërruar analizat e gocës?”- rrëfen Zhaneta. E gjithë dita dhe nata e Zhanetës janë në funksion të së bijës. Ajo fle pasi Alesia ka rënë në shtrat dhe zgjohet para se vogëlushja e saj të hapë sytë. Për Zhanetën, mirëqenia e Alesias është mbi gjithçka.

Të voglës i nevojiten terapi fizioterapie të vazhdueshme sepse ajo ka dhembje të vazhdueshme fizike. E vetmja qendër e specializuar në Librazhd ku Alesia mund të marrë këtë shërbim është në qendër të Librazhdit.

E ëma tregon se  u duhet të paguajnë  400 lekë transport për furgonin, dhe për familjen e Alesias ku nuk punon askush  janë shumë para. “I marrim çdo muaj 3000 mijë lekë ilaçe. Mos të llogarisim pastaj pelenat që i duhen. Janë shumë lekë. Për kokë të fëmijëve nuk ia dalim dot”- tregon e ëma e mban lotët. Alesia, ka të vetmin mjet transporti shpinën e së ëmës. “Rruga ku kalon furgoni, është kaq e keqe sa kur kthehemi nga terapia goca ankohet për dhimbje trupi”- tregon Zhaneta.

Alesia ka nevojë për fizioterapi, por ajo mund të shkojë në qendër vetëm një herë në javë. Po sikur të shkonte fiziterapsiti tek ajo 3 herë në javë? Ajo do të kishte më pak dhimbje. Për Alesian kjo është një ëndërr.

World Vision ka filluar programin social  “Tungjatjeta”.  Ti mund të ndihmosh që duke dhuruar 400 lekë çdo muaj, Alesia të  mund të shkojë në shkollë me karrocë të re si dhe të marrë shërbimet bazë që i duhen.