Unë fitova besim në vetvete dhe nga ajo vajza e urtë që nuk guxoja të flisja apo kundërshtoja, tani isha e gatshme të ktheja përgjigje të argumentuar kur kisha të drejtë.
Fillova të mos kem më frikë që të shprehja mendimin tim pavarësisht se hasja kundërshti në shumicën e kohës.
Kur merrja pjesë në debate më vinin ndërmend fjalët dhe këshillat e mësueses: ‘të bërtasësh nuk të bën një debatues të mirë, s’do të thotë që ke të drejtë’ prandaj unë jam tepër e qetë kur debatoj.
Kam mësuar më shumë mbi rëndësinë e të punuarit në grup apo sesa të rëndësishme janë punët vullnetare, por edhe sesi edhe një person i thjeshtë me ndoshta jo ndonjë ‘superfuqi’ mund të zgjidhë çdo gjë nëse punon në grup.
Kam mësuar se sa e rëndësishme është të ngresh zërin kundrejt padrejtësive, të mos jesh pasiv, t’i dalësh ‘për zot’ vetes tënde.
Gjithashtu kam përftuar edhe veti personale që nuk i kisha “zbuluar” më parë. Tani më pëlqen më shumë të shkruaj për tema sociale, tema abstrakte, për dashurinë, pendesën, urrejtjen, feminizmin, etj.
Jam gjithashtu nga ato vajza që kam filluar të pëlqej shumë muzikën, jo vetëm ta dëgjoj si terapi por edhe të këndoj. Më pëlqen shumë të këndoj, por pa praninë e të tjerëve edhe pse kam konkuruar në maratona dhe kam fituar madje edhe cmime.
Këto janë disa nga mësimet që Adela ndan me ne dhe i cilëson si aftësi të fituara nga përfshirja e saj me grupet rinore IMPACT. Ajo u bë pjesë e njërit prej tyre 4 vite më parë, kur ishte në klasën e gjashtë. Sot, ajo është në gjimnaz dhe angazhimi me grupin thotë se i mungon shumë.
“Po të kthej syte tek vetja ime para 4 viteve do t’i thoja vetes sime që atë ditë që vendosa të isha pjesë e këtij grupi ka qenë vendimi më i duhur që mund të kem marrë ndonjëherë dhe jam tepër e lumtur dhe mirënjohëse për të gjithë ata që na e dhanë një mundësi të tillë , I pari World Vision dhe vijon me mësuesit koordinator dhe gjithë stafin mbështetës. Mendoj se kam qenë me fat dhe se çdo fëmijë duhet të shfrytëzojë për mirë çdo mundësi që i ofrohet. Të rinjtë duhet të besojnë më shumë tek vetja dhe tek fuqitë e tyre të padukshme, duhet ta duan veten e tyre dhe të punojnë fort për të arritur çdo qëllim,ëndërr dhe çdo dëshirë që kanë. Ndonjëherë një mundësi shumë e vogël që shfaqet papritur, hap dyer të mëdha kënaqësie dhe suksesi që as nuk mund të parashikohen,”- me këtë mesazh e mbyll bisedën shkrimin e saj Adela, e reja 18 vjeçare që tashmë thotë se mësimet e saj i ndan edhe me miq e shokë sepse dëshiron që edhe bashkëmoshatarët e saj të përmirësohen dhe këtë përmirësim mund ta nisësh vetëm nga vetja.
Sipas Raportit Vjetor të World Vision Albania, për vitin 2021, 98 klube IMPACT ndërmorën 148 nisma komunitare nga ku përfituan 17 600 të rinj të tjerë në të gjithë Shqipërinë.