Mes fëmijëve dhe të rinjve

WhatsApp Image 2022-03-08 at 16

Anila është me profesion mësuese bio-kimie. Prej 4 vitesh ajo ka qenë drejtuese e një prej grupeve rinore IMPACT në Durrës. Fillimet e saj në World Vision fillojnë në 2014-ën, me projektin e edukimit. Lexoni përjetimet dhe mësimet e saj në një eksperiencë që siç e përshkruan ajo është e paharrueshme.

Anila: “Rrugëtimi im si mësuese dhe vullnetare”

Askush nuk na njeh më mirë se sa ne njohim vetveten. Të gjithë jemi njerëz në ndryshim, në përmirësim, megjithatë vështirë se dikush tjetër arrin të të njohë se cili je në të vërtetë. Për mua familja është e para dhe jam një person që e dua shumë familjen, por e dua edhe veten. Jeta më është dhuruar, ndërsa profesionin e kam fituar me mund dhe sakrifica që nuk është rasti t’i tregoj në këtë shkrim të shkurtër, megjithatë misionin si  mësuese e kam bërë me shumë dashuri dhe përkushtim gjatë gjithë jetës. Prej rreth 8 vitesh jam ndjerë me fat ku përveç profesionit tim kam qenë edhe vullnetare në organizatën World Vision, edhe koordinatore e qeverisë së nxënësve duke sjellë në shkollë plot nisma dhe ide inovatore. Të punosh mësuese është përgjegjësi shumë e lartë humane dhe shoqërore, pasi roli i mësuesit është i një rëndësie të veçantë ku kemi të bëjmë me formimin, ndërtimin dhe drejtimin që do të marrin nesër nxënësit që sot iu japim dije. Asnjë profesion tjetër nuk të jep mundësinë të kesh një ndikim kaq pozitiv në zhvillimin e përgjithshëm të një fëmije.

Krahas angazhimit me këto grupe rinore, jam përfshirë edhe në qeverinë e nxënësve ku u impenjova në shumë projekte dhe aktivitete të mbështetura nga World Vision. Dhe në punën time si mësuese koordinatore dhe si drejtuese e grupit të të rinjve IMPACT kam kaluar momente shumë të bukura, por edhe kam hasur shumë sfida, megjithatë vullneti, pasioni i madh për profesionin dhe motivi për të punuar i ka mposhtur ato.

Gjatë kësaj periudhe, shumë fëmijë e adoleshentë janë përfshirë në grupe që i kanë ndihmuar të zgjerojnë njohuritë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre përmes nismave që kanë marrë së bashku. Të gjithë që u bënë pjesë shprehin lirshëm mendimet që kanë, njohin e ngrenë zërin kur të drejtat iu cënohen, por edhe kërkojnë të vetëpërfaqësohen për vendimet që merren për ta në shkollë, por edhe jashtë saj. Nga ana tjetër ata kanë arritur të jenë një model i mirë për fuqizimin e të tjerë të rinjve në shkollë dhe në komunitet.

Një nga eksperiencat më të bukura nga i gjithë ky rrugëtim ishte njohja dhe bashkëpunimi me liderat  e grupeve të Impact Club. Në takimet tona, përveçse kemi marrë informacione që nuk i kishim, ne kemi biseduar me njëri-tjetrin për të shkëmbyer mendimet dhe opinionet  lidhur me tema të rëndësishme, e ndërkohë që merrnim njohuri vetë duhej ta brendësonim dhe ta përcillnim tek fëmijët dhe adoleshentët në një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht të kuptueshme. Për  mua kjo eksperiencë shumëvjeçare më bëri të njoh edhe më mirë veten, por të njoh edhe shumë njerëz të tjerë ndërkohë që rritesha edhe profesionalisht.

Të gjitha këto arritje dhe sfida që hasëm gjatë këtij rrugëtimi më bënë të mos ndalem së studiuari. Si mësuese u përballa me shumë sfida dhe pengesa që më  bënë të kuptoj që jo të gjitha rrugët  dhe mundësitë janë të hapura, por duhet t’i kërkosh dhe mbi të gjitha të duash të bëhesh pjesë. Të qenurit lider i grupit Impact të bën t’i hysh më thellë situatave për të gjetur zgjidhje me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në procesin mësimor edukativ.

Ndërkohë që të punosh në mënyrë vullnetare zhvillon tek çdo individ formën më supreme të përgjegjësisë dhe rrit dëshirën për t’i shërbyer shtresave më të pambrojtura të shoqërisë. Duke parë seriozitetin me të cilin fëmijët zhvillojnë aktivitetet si dhe dëshirën e tyre për tu përfaqësuar sa më mirë të gjithë ata që i kanë zgjedhur më ka bërë të ndjehem akoma më shumë pranë tyre dhe t’i përgjigjem sa më mirë nevojave dhe kërkesave që ata kanë.

Nuk është edhe aq e lehtë sa duket me fjalë. Punën duhet të kesh guxim e durim ta duash dhe të të dojë edhe puna ty puna mbrapsht. Kur punon me zemër në profesionin e mësuesit bëhesh udhërrëfyes jo vetëm i dijes, por edhe të frymëzosh brezat që nesër të bëhen jo vetëm një njeri më shumë në shoqëri, po një qytetar me detyra, të drejta dhe i gatshëm për të ndihmuar ata më në nevojë.

Kjo rrugë  filloi si një sfidë e re për mua, vazhdoi me shumë dashuri dhe përkushtim si në ditën e parë që ka nisur dhe ndërkohë brezat me të cilët pata fatin të punoj janë do të vazhdojnë angazhimin e tyre. Tashmë unë do të nis një rrugëtim të ri, jo më pak sfidues por që është brenda fushës së arsimit.

 
Nga mësuese Anila,
Drejtuese e IMPACT CLUB