Fjorida nuk mund të ecë dhe as të flasë. Ajo vuan nga ischemia cerebrale e shkallës së avancuar. Fjodora është nga Gjinari i Elbasanit, një nga zonat më të thella të këtij rrethi. Ajo jeton me prindërit, motrën 3 vjeçe dhe gjyshen e saj. Për shkak të gjendjes së saj specifike dhe të mungesës së infrastrukturës në fshatin e saj, transportit dhe largësisë, ajo nuk ka pasur mundësi të shkojë as në shkollë speciale e as në shkollën e fshatit të saj që është afro një orë e gjysmë vajtje – ardhje. Rruga është shumë e keqe dhe është e pamundur që karrigia e saj me rrota të kalojë në të.
Që në dhjetor të 2016-ës, Fjodorës i është vënë në dispozicion një mësuese ndihmëse, e cila shkon 1 herë në javë në shtëpinë e saj për t’i dhënë mësim, sipas Planit Edukativ Individual. Që nga janari i këtij viti, vajza është pa mësuese ndihmëse, sepse ajo është transferuar në një shkollë tjetër.
Megjithatë, kjo duket e pamjaftueshme, pasi në gjendjen që është Fjodora ka nevojë për ndihmë të specializuar në qendra që ofrojnë shërbime si fizioterapi, logopedi etj.
Familja e saj e ka të pamundur t’ia mundësojë vajzës këto shërbime. Ata janë shumë të varfër dhe nuk kanë asnjë mjet transporti për ta dërguar vajzën që të marrë shërbimet që i nevojiten dhe as nuk mund të paguajë për to.
Edhe pse Fjodora e ka krejt të pamundur të kujdeset për veten, prindërit kanë filluar të marrin pagesën e kujdestarisë vetëm vitin e fundit. E gjithë familja tani jeton me paratë që marrin nga asistenca sociale e Fjodorës dhe pagën e kujdestarisë, pasi asnjë nuk punon.
Si ajo, edhe 9% e fëmijëve në Shqipëri kanë vështirësi në lëvizje, dhe 6% kanë vështirësi të kuptojnë të tjerët kur komunikojnë.