Mbretëresha e bashkimit

familja

“Ajo dallohet menjëherë. Është shumë, po shumë e bukur! E gjatë, më e verdhë, e shndritshme. Shtron 1500 vezë.”- kështu e përshkruajnë mbretëreshën e bletëve Saimiri dhe Liljana bletërritës nga një fshat i Librazhdit.

Liljana me njërin nga djemtë në parkun e bletëve

Me një dashuri dhe përkushtim të madh ata flasin për mbretereshën e bletëve, duke na treguar se si vendosën që ndjekin traditën e familjes dhe tani e konsiderojnë veten të punësuar me kohë të plotë si bletërritës.

“Ne gjithmonë kemi patur bletë,  por këto vitet e fundit me mbështetjen e World Vision ne i shtuam nga rreth 20 zgjoje që kishim në  119. Gjithashtu World Vision na ka mbështetur me zgjoje të rinj të një standarti më të mirë, që sigurojnë shëndet më të mirë tek bleta dhe shume mjaltë sigurisht. Jemi mbështetur edhe me centrifugë për vjelje, vazo, etiketa dhe kartëvizita. Një pjesë e rëndësishme ka qenë dhe trajnimet. Më parë nuk dinim shumë për sëmundjet tek bletët dhe parandalimin apo dallimin e tyre që në fazë të hershme, tani unë di më shumë.”- na tregon Saimiri.

Saimiri në parkun e tij të bletëve

“Kur erdha këtu nuse 10 vite më parë i kisha shumë frikë bletët, por duke parë Saimirin dhe babain e tij që i donin aq shumë u bëra shumë kurioze.  Tani e dua këtë punë më shumë se si. Herë pas here marrim dhe dy djemtë me vete. Ata janë 8 dhe 5 vjeç, por duket që po e trashëgojnë që tani këtë pasion” – thotë Liljana, bashkëshortja e Saimirit.

Djemtë e çiftit gjatë sezionit të marrjes së mjaltit

Ndërsa një ndër problematikat kryesore në fshatrat e Librazhdit është papunësia dhe emigracioni i burrave, Saimiri dhe Liljana e kanë gjetur sekretin e bashkimit.

Kam provuar dhe emigrimin më parë, por nuk mund të shihja djemtë e mi tek rriteshin. Unë dua më të mirën për ta. Nëpërmjet punës sime dy djemve të mi nuk u mungon asgjë. U ble libra , fletore, veshje, do t’u mundësoj edhe universitetin, por gjithashtu në të ardhmen kam dhe çfarë u trashëgoj, biznesin e familjes.“- shprehet Saimiri.

Saimiri është vetëm një prej 165 familjeve bletërritësve janë mbështetur nga World Vision nëpërmjet projektit Lehtësimi i Biznesit. Pjesëmarrës në “Festa së Mjaltit” në Librazhd ai ka sjell produktet e tij duke krijuar dhe mundësi të reja për zgjerimin e biznesit te tij.

Saimiri gjatë “Festa e Mjaltit” në Librazhd.

Këtë vit 125 biznese ndër to bletërritës, kultivues të frutave arrore, vreshtare, pemëtarë, kultivues të produkteve bujqësore, mbledhës të bimëve medicinale, punues të produkteve artizanale, veshjeve popullore, promovues të parkut kombëtar Shebenik Jabllanicë u bënë bashkë sot në Librazhd në “Festa e Mjaltit”.

Vitin e kaluar World Vision organizoi modelin e parë në bashkëpunim me bashkinë Librazhd, ku shumë familje përfituese të projektit të Lehtësimit të Biznesit ekspozuan produket e tyre. Këtë vit me inicim të Bashkisë Librazhd dhe mbështetjen e World Vision “Festa e mjaltit” po zhvillohet sërish sot, duke mbedhur sërish këto biznese për të prezantuar produktet e tyre bio.

Artina Morava- Drejtuese Programi World Vision gjatë fjalës së saj në “Festa e Mjatit”

“Shumë e lumtur që Bashkia Librazhd e vazhdoi modelin që ne inicuam vitin e kaluar. U uroj shumë suksese të gjithë bizneseve këtu, sot dhe në vazhdimësi. Eshtë shumë bukur të shohim produktin e 11 viteve pune dhe përkushtim të World Vision në komunitetet e Librazhdit. Ndihem si pjesë e këtij komuniteti edhe unë sot.”- u shpreh Artina Morava, Drejtuese Programi në World Vision.

Në 5 vitet e fundit, 600 biznese janë mbështetur nga World Vision në Librazhd në projektin e Lehtësimit të Biznesit. 165 ndër to në bletari janë mbështetur me aftësi teknike për mirërritjen e bletëve, zgjoje të reja, vazo, etiketa, kartëvizita, shkëmbim eksperience, etj. 100 biznese me fidanë lajthie dhe trajnime për zhvillimin e kësaj kulture; 250 vreshtarë në fidanë, mjete teknologjike për përpunimin e rrushit, punimin e vreshtave, etj; 50 blektorë me elemente për përpunimin e qumështit, me trajnime për sëmundjet e gjethëve, 40 biznese me bimë medicinale me trajnime se si t’i njohin dhe mbledhin bimët në zonë, si t’i tregtojnë, etj.