Mbikalimi i nxënësve

Banorët në zonën e Kënetës në Durrës dhe rreth 500 nxënës, prej muajit shkurt, kalojnë të sigurtë në mbikalimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë që të çon në shkollën e “Re”.

Më parë, mungesa e mbikalimit i detyronte nxënësit të kalonin 2 herë në ditë në rrugën automobilistike që ndante në mes lagjen e Kënetës. Në jo pak raste, fëmijët tregojnë se kanë rrezikuar të përplasen nga automjetet që përshkonin këtë rrugë. Anastasia është një ndër to dhe na tregon: “Situata ishte shumë kritike, kur kalonim nga një anë në tjetrën, na shoqëronin prindërit. Vëllai im që është në klasën e parë qante sa herë kalonte sepse kishte frikë nga rruga plot me makina.”

 

 

Nga ana tjetër, edhe banorë të zonës ankoheshin se ndryshimet e kishin shndërruar këtë pjesë të aksit rrugor në burim aksidentesh.

Të gjendur në këtë situatë, banorët e zonës, nxënësit, prindërit e tyre, World Vision, por edhe organizata të tjera u organizuan për të paraqitur tek institucionet përkatëse, kërkesën për ndërtimin e një mbikalimi.

Ky shqetësim filloi që kur u bë autostrada në 2016-ën. Ne kalonim shpesh aty për të shkuar tek Qendra Shëndetsore, kopshti, shkolla. U bëmë një grup prindërish të përbërë prej 17 personash dhe i drejtuam një peticion DAR-it, Njësisë Administrative, policisë dhe Bashkisë.” – thotë Tone Gjinaj, prind dhe banore në Kënetë të Durrësit.

Pas kësaj ankesë-kërkese u zhvilluan disa takime me të gjithë aktorët për të diskutuar problemet e banorëve dhe mundësitë reale për zgjidhje.

Shkolla “E Re”është një ndër shkollat ku World Vision punon në Durrës, prandaj ishin edhe një ndër pjesëmarrësit kryesorë të takimeve që kërkuan me vendosmëri ndërtimin e mbikalimit për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, por edhe të komunitetit.

Në takim ishte edhe zonja Tone, e cila thotë:“Ishte vend i banuar dhe kishte shumë rreziqe. Përveçse rrezikonim, mungesa e mbikalimit na vështirësonte vajtjen në punë sepse duhet të shoqëronim edhe fëmijët në shkollë. Pra, ndërtimi i mbikalimit ishte i domosdoshëm dhe na ka lehtësuar jetën.”

 

 

Një muaj më parë u bë inagurimi dhe i të gjithë komuniteti ishte i lumtur që këtë herë u bashkuan, ngritën zërin dhe ia dolën të kenë një mbikalim për mirëqenien e të gjithëve.