Durrës – Organizata World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë Durrës ka mundësuar ndërtimin e një Terreni Sportiv Multidisiplinar në shkollën 9-vjeçare “E Re” në zonën e Kënetës në Durrës, i cili ju shërben 740 fëmijëve të kësaj shkolle për të zhvilluar orët e Edukimit Fizik, por edhe për të organizuar aktivitete të ndryshme sportive.
Ndërtimi i terrenit sportiv është një iniciative e propozuar nga të rinjtë e grupeve IMPACT të World Vision Albania, kjo pasi sporti dhe aktivitetet sportive ndihmojnë për një shëndet më të mirë fizik e mendor dhe në të njejtën kohë shërbejnë edhe si një mënyrë për të pasur gjithëpërfshirje e për të dhënë mesazhe solidariteti mes fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve.
Ceremonia e inaugurimit të Terrenit Sportiv Multidisiplinar u mbajt në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Fëmijëve, me pjesëmarrjen e Kryetares së Bashkisë Durrës, Znj. Emiriana Sako, Drejtoreshës Operacionale pranë World Vision Albania, Znj. Artina Morava, Drejtoreshës së Zyrës Vendore Arsimore Durrës (ZVA), Znj. Amarilda Thermija, Drejtorit të shkollës Z.Qemal Bregasi, nxënësve, prindërve dhe mësuesve.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për rritjen e mirëqenies së fëmijëve, duke krijuar mundësi dhe hapësira që ata të realizojnë potencialin e tyre të plotë. Ky terren sportiv është një mundësi që ata të angazhohen dhe të përmirësojnë shëndetin e tyre fizik, mendor dhe emocional,” – u shpreh Znj. Artina Morava.
Inaugurimi përkoi me aktivitete të organizuara nga nxënësit, duke përfshirë anëtarët e grupeve IMPACT, për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Përmes aktiviteteve dhe mesazheve të tyre, fëmijët nënvizuan rëndësinë që ka sporti në ndërtimin e komuniteteve më të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse, ndërkohë që advokuan për të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve.
Kjo hapësirë e re, e projektuar për të mbështetur disa disiplina sportive si; basketboll dhe volejboll, shërben si një investim në mirëqenien e mbi 740 nxënësve, duke ofruar një vend të sigurt dhe gjithëpërfshirës për aktivitete fizike, duke promovuar rritjen e shëndetshme, punën në grup dhe zhvillimin e aftësive fizike.
Përmes projektit “Shkollat si Qendër Komunitare”, fushat sportive do të mund të aksesohen edhe nga anëtarët e tjerë të komunitetit.