Në kohë festash, mes njëri tjetrit shkëmbejmë dhurata e mbi të gjitha përkushtimin dhe dëshirën për të bërë dikë të lumtur. Kjo është edhe loja e engjëllit që luajnë nxënësit e shkollës në fshatin Dritaj. Aurora, Ankela dhe Sara janë 3 vajzat që fituan çmimin e dytë në konkursin e fjalës artistike të organizuar nga bashkia Prrenjas. Shpërblimi ishte 3000 lek të rinj. Nuk donin t’i ndanin mes tyre, por menduan t’ia dhuronin një prej vajzave të klasës së 9-të, Joridës.
Ajo çdo ditë shkon në shkollë pak më vonë se të tjerët. E veshur shumë hollë për dimrin e ftohtë në fshatin e tyre, shpesh me këpucë me baltë e tepër të mëdha për këmbën. Sapo hyn në klasë, me kokën ulur thotë mirëmëngjes dhe drejtohet për në bankën e saj.
Nisur nga një nismë e World Vision, për të organizuar lojën e engjëllit në shkollë, qeveria e nxënësve vendosi: “Do jemi engjëj e Joridës.”
Folën me nxënësit e shkollës dhe përgatitën një kuti për të mbledhur para që të ndihmonin sadopak Joridën.
Çdo ditë nxënësit hiqnin mënjanë disa nga lekët që u jepnin prindërit me vete, për ti futur tek kutia e vogël.
Pas disa ditësh, bashkë me lekët e konkursit që fituan vajzat dhe me lekët e mbledhura nga vetë nxënësit, blenë veshje për Joridën dhe ushqime për familjen e saj. Ditën e vullnetarizmit u nisën për të vizituar shtëpinë e shoqes së tyre. “Të bënte përshtypje entuziazmi i tyre. Rruga ishte e gjatë, me baltë dhe në çdo hap që hidhnin thoshin: ‘sa keq…sa larg e paska shtëpinë Jorida. Si ia bën çdo ditë?” – tregon mësuese Lindita Bedeli që i shoqëroi atë ditë për tek shoqja e tyre.
Duke u larguar, nxënësit i pëshpërisnin njëri tjetrit: “Sikur të mundnim që Jorida dhe familja e saj të ishin gjithmonë të buzëqeshur, ashtu si sot!”