Lezhës i kthehet kinemaja pas më shumë se 20 vitesh

 Deklaratë shtypi

Lezhë, 29 shtator 2015  –  Lezha do të ketë sërish kinemanë e saj pas më shumë se 20 vitesh mungese. Ekrani i madh do t’i kthehet qytetit si pjese e sallës së koncerteve të Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”. Po në këtë sallë, në orën 17.00,  u bë sot inagurimi zyrtar.  Kinemaja do të quhet “Post-Drin” dhe filmi i parë i shfaqur në të, simbolikisht ishte “Dritat e qytetit”, nga Charls Chaplin.

Ideja e kinemasë lindi rreth një vit më parë kur një grup të rinjsh të Lezhës, “Vizioni Rinor”, pjesë e organizatës ndërkombëtare World Vision, kreu një pyetsor me 500 moshatarë dhe banorë të tjerë të Lezhës. Mes listës së  institucioneve që do të dëshironin të hapeshin në qytetin e tyre, 80% e të pyeturve zgjodhën së pari kinemanë. Pas kësaj, të rinjtë i parashtruan idenë bashkisë dhe në janar 2015 mes kësaj të fundit dhe World Vision u nënshkrua marrëveshja përkatëse.

“Falenderoj bashkëpunëtorët që bënë të mundur realizimin e këtij projekti”, – tha kryetari i bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, gjatë hapjes zyrtare të “Post-Drin”.

 “Është bukur të kesh ide dhe është e mrekullueshme kur ato realizohen. Falenderoj stafin e World Vision dhe i ftoj në bashkëpunime të tjera”,- tha drejtoresha e Pallatit të Kulturës, Albana Përvathaj.

Përveç dhenies së bazës materiale për hapjen e kinemasë, World Vision theksoi punën me “Vizioni Rinor”. “Ky grup është pjesë e rrjetit me rreth 2000 te rinj të përkushtuar ndaj shoqërisë, me të cilët World Vision punon në Shqipëri.  Ashtu si Ermali, Denisa, Gladiola, Klodi e të tjerët këtu. World Vision ka qëllim të punës së tij  mundësimin e hapësirave ku të rinjtë të shprehin  dhe të rrisin veten, për t’u kthyer në qytetarë të vërtetë. Në qytetarë që nuk e kalojnë ditën në kafene, por luftojnë me fjalë dhe me vepra për ta bërë çdo fshat e lagje të Shqipërisë një vend më të mirë për të jetuar. Ashtu si ky grup e bëri sot Lezhën një qytet më të mirë”, – tha Edi Markaj, menaxher operacional për World Vision në Lezhë e Shkodër. Përveç deklaratave zyrtare, pjesa më interesante e inagurimit të kinemasë ishte hyrja në skenë e anëtarëve të grupit “Vizion Rinor”.

 “Hapja e një kinemaje në Lezhë, sado e thjeshtë në kushte dhe paraqitje, mbetet për ne një tjetër simbol krenarie. Ajo na mëson të mos dorëzohemi asnjëherë pasi kur troket në dyert dhe zemrat e duhura, ato nuk mbyllen. Faleminderit të gjithëve që na jepni kurajo për të shpresuar në një të ardhme më të mirë për Lezhën dhe banorët e saj”, – tha i emocionuar Arditi, njëri nga anëtarët e grupit.  

Në ceremoninë e hapjes, përveç intelektualëve dhe artdashësve të Lezhës, morën pjesë humoristi Gentian Zenelaj, poeti lezhjan Mark Simoni etj.

“Post-Drin” do të jetë së pari një kinema jokomerciale. Biletat do të kushtojnë nga 50-100 lekë të reja dhe në të nuk do të shfaqen filmat më të fundmë të kinematografisë ndërkombëtare, por do të promovohen vlerat ndër vite të  kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj. Kinemaja do të shërbejë si një qendër ku artistët e Lezhës dhe dashamirësit e ekranit të madh të mund të mblidhen, të eksperimentojnë dhe të promovojnë krijimet e tyre.    

*****

FUND

 

 Për më shumë të dhëna, ju lutem kontaktoni:

Elda Spaho Bleta

Senior Communications Advocacy Officer

World Vision in Albania & Kosovo

Office Phone: +355 4 22 58 333/4| Mobile: + 355 68 5015224| Email:
bardha_prendi@wvi.org |
| Main office address: : World Vision, “Asim Vokshi” Street, USLUGA
Complex, Tirana, Albania|
| Mailing address: P.O.Box 1725 Tirana, Albania|
  meero.worldvision.org