#1goal4IMPACT – Një fushatë sportive për problemet që shqetësojnë të rinjtë

MicrosoftTeams-image (45)

14 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në Kamëz janë bërë pjesë e një fushate sportive me fokus nxitjen e aktivizmit rinor dhe adresimin e çështjeve që shqetësojnë fëmijët dhe të rinjtë.

#1goal4IMPACT është nismë e grupeve rinore të klubeve IMPACT, ku synohet që përmes sportit dhe argëtimit nxënësit të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme me njëri-tjetrin.

“Është një eksperiencë shumë e bukur dhe e kam shijuar në çdo etapë të saj. Përmes argëtimit dhe lojërave po synojmë të sensibilizojmë njëri-tjetrin dhe komunitetin për disa tema themelore. Është shumë bukur të bësh tifo për talentet e shkollës tënde,”- na tregon Klajdi, një prej nxënësve që është bërë pjesë e fushatës.

Nëpërmjet aktiviteteve sportive të organizuara në shkollat e Kamzës, kryesisht volejboll dhe basketboll, fëmijët dhe të rinjtë e përfshirë drejtpërdrejt, por edhe nxënësit e tjerë përfitues janë ndërgjegjësuar dhe informuar mbi aspekte të shëndetit mendor.

Ky projekt synon të adresojë qendrime dhe sjellje pozitive në komunikimin mes nxënësve, duke pasur disa mesazhe: “Ji pozitiv”, “Mos shaj”, “Lojë, jo luftë”, “Jam dhe unë”, “Ti vlen”, “Paqe”, “Sporti: shëndet fizik dhe mendor”.

Mësuesit tregojnë se elementi më problematik aktualisht në shkolla është diskriminimi, bullizmi.

“Më në fund u kthyem në normalitet, pasi kishte kohë që donim të organizonim aktivitete të tilla. Ka shumë vlerë të kontribuosh dhe të ndihmosh në organizimin e një fushate të tillë në dobi të shëndetit mendor dhe të gjithëpërfshirjes,”- shprehet mësuese Genta.

Mësuesit e Edukimit Fizik nënvizojnë se përfshirja e sportit në shkolla është një mundësi e mirë për fëmijët dhe të rinjtë që të rriten të shëndetshëm. Sporti përmirëson jetën, redukton stresin, rrit bashkëpunimin ndërmjet nxënësve dhe nxit një frymë pozitive mes tyre.

Të rinjtë e grupeve IMPACT synojnë që përmes kësaj nisme të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme mes nxënësve në mjediset shkollore dhe jashtë saj, si dhe të nxisin e promovojnë qytetarinë aktive dhe ndërtimin e marrëdhënieve të qendrueshme edhe në komunitet.

Kjo fushatë e ndërmarrë në 8 qytete është nismë që mbështetet nga World Vision Albania, e koordinuar me Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe Ministrinë e Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët.

Aktivitete të njëjta sportive po organizohen edhe në disa shkolla të Korçës, Maliqit, Librazhdit, Dibrës, Durrësit, Kurbinit dhe Shkodrës. Faza e dytë e kësaj nisme do të vazhdojë ditët në vijim me Kupën #1GOAL4IMPACT ku në çdo bashki, ekipet finaliste do të përballen në 2 disiplina kryesore, basketboll dhe volejboll.

World Vision punon me 98 grupe rinore IMPACT në 11 bashki të Shqipërisë.