Kurbin – Frankufurt – Kurbin / Ndihma që vjen kur ti di se çfarë do

Foto00002

Si në një film neorealist, një furgon i bardhë shëtit fshatrave të Kurbinit duke shitur rroba. Në kohërat e modës së shpejtë, të gjithë duan të vishen, sipas mundësive, dhe furgoni dërgon dhe në fshatrat më të thellë mall “të mirë

e të lirë”. Personazhi brenda në furgon, Dardani, jeton në Kurbin dhe, pavarësisht se sapo ka mbushur 34 vjeç është baba i 4 djemve dhe një vajze.

Një ish emigrant i Gjermanisë, Dardani është pjesë e atij grupi të rikthyerish që ka rindërtuar jetën e vet falë World Vision Shqipëri, që synon integrimin e të rikthyerve përmes programit RE-IN-VEST, mbështetur nga GIZ dhe qeveria gjermane.

Prindërit e tij janë marrë me tregëtinë e rrobave ndaj edhe për Dardanin kjo është puna që njeh në majë të gishtave. Kur ka qenë më i vogël ka mbledhur dhe shitur hekur, ndërsa tani është përqendruar të veshjet. Ai e di çfarë duan njerëzit, ai di të balancojë harxhet me fitimin, ai di të japë çmim të lirë, duke dalë prapë i fituar. Falë trajnimeve për punën dhe biznesin që ka marrë nga “World Vision” përmes RE-IN-VEST, Dardani ka fituar një mënyrë të re të menduari e të punuari, si dhe ka krijuar një mendësi të re për mundësitë për gjenerim të ardhurash, çka i jep shpresë që pavarësisht sfidave që ofron Shqipëria dhe veçanërisht Kurbini, ai dhe familja e tij mund t’ia dalin.

Dikur pre’ e mërzisë dhe pakënaqësive, tashmë takimet dhe trajnimet e tipit Empower World View kanë ndikuar që Dardani të ndryshojë këndvështrimin për jetën, i kanë rikthyer pozitivitetin dhe optimizmin se pavarësisht situatave shpesh jo të favorshme, ka përherë mundësi ë familja të funksionojë më mirë, që ai të mund të kujdeset për fëmijët më mirë, dhe të krijojë mundësi për të siguruar të ardhura për ta.

Por, jo gjithmonë ka qenë kështu.

“U nisa me traget, nëpërmjet Italisë, për në Gjermani. Shkuam për një jetë më të mirë, por rrugën e patëm tepër të vështirë, pasi në ato kohë kisha tre djem të cilët ishin 10, 6 dhe 2 vjeç. Imagjinojeni vetë, me traget, tren, autobus, çanta…”

Ishte viti 2015, Dardani në atë kohë ishte vetëm 27 vjeç, dhe me gruan e me tre fëmijët (që kishte asokohe), kishte marrë rrugën e mundimshme për në Gjermani. Ai udhëtim i është stampuar në kokë me detajet më të imëta.

Dardani rrëfen se shpesh gjatë udhëtimit është penduar që e mori këtë iniciativë, jo më shumë për vete, por për lodhjen që po shihte tek fëmijët e tij. Ndoshta ishte në traget a ndoshta në një stacion treni të periferive të Europës, kur ai brente veten nëse kishte mundësi që të kthehej mbrapsht.

 Por të kthehej e shihte edhe më të vështirë se sa të ecte përpara, ndaj zgjodhi këtë të fundit.

“Në kamp, në Gjermani qëndruam 4 vite. Më shumë na mbajti shëndeti i djalit, i cili pati probleme të rënda, u diagnostikua me tuberkuloz dhe u kurua për 6 muaj, intensivisht. Na kanë trajtuar shumë mirë. Madje nga njëra anë them, mirë që isha atje kur djali pësoi këtë problem shëndetësor se po të isha këtu nuk e di nëse do jetonte akoma”, tregon Dardani i emocionuar.

“Pas 4 vitesh, na kthyen dhe e gjetëm veten sërish në Kurbin. U nisa me tre fëmijë, u ktheva me pesë. Jemi ndjerë shumë mirë në Gjermani, por, jo çdo e mirë zgjat përgjithmonë.”kujton Dardani.

Me ardhjen në Shqipëri, ai dhe bashkëshortja e tij u gjendën të pa punë dhe me 5 fëmijë. Frankfurti, dukej si një ëndërr e largët.

“Kur u ktheva nuk kisha asgjë. Duhet të rinisja punën, nuk kisha asnjë mundësi për të blerë mallin që tregëtoj. Derisa dikush më foli për një organizatë. Quhej World Vision Shqipëri. U takova me ta dhe më dhanë shumë shpresë. Nuk më dhanë vetëm paratë për blerjen e mallit, por më parë më trajnuan për mënyrën se si mund të ngrija një biznes. Falë këtij trajnimi, blerja e mallit ishte më e studiuar, ideja për një tregëti të lëvizëshme u materializua, rezultati ishte i prekshëm, dhe unë isha më se i qartë që nuk ‘ia kisha futur kot.”

Kjo ishte ajo që i duhej Dardanit për të marrë veten.

“Për mua ishte fiks ajo që duhej”, rrëfen Dardani, ndërsa ka bërë gati furgonin me mall, kryesisht veshje, për t’u nisur në rrethinat e Kurbinit me besimin se në fund të ditës do të këtë fituar diçka.

Për momentin jeton me qira, pasi banesa që ai kishte u rrënua nga tërmeti i vitit 2019. Qiraja e shtëpisë ku ai dhe familja e tij e banojnë paguhet nga shteti, një tjetër ndihmë lehtësuese për të.

“Me këtë mundësi punësimi që kam tani, arrij të siguroj të ardhura për të jetuar.Të them të drejtën është e vështirë, pasi puna ka rënë shumë, njerëzit blejnë gjithmonë e më pak, por me përpjekje arrij të siguroj bukën e fëmijëve çdo ditë”.

Makina e bardhë e Dardanit lëviz çdo ditë përgjatë fshatrave të Kurbinit e më tej. Frankfurti vazhdon të mbetet një ëndërr e bukur, tashmë e mbyllur, ndërsa Kurbini një sfidë e përditshme që duhet fituar, me buzën në gaz, me idetë e tij të qarta, dhe me besimin që çdo ditë e fituar është një ditë e jetuar mirë.