19 Korrik 2023 – Banorët e Librazhdit do të kenë për herë të parë një qendër multifunksionale në qytetin e tyre.
Aktualisht, jemi ne pragun e punimeve për rikonstruktimin e ndërtesës së vjetër e cila së shpejti do të kthehet në një qendër bashkëkohore, ku do të ofrohen shërbime për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, për prindërit, profesionalistët, fermerët e Bashkisë Librazhd.
Organizata World Vision në Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd, po zbaton projektin “Kia Green Light Project” me mbështetjen e World Vision Korea dhe financimin e Kia.
Në këtë qendër do të mbështeten 62 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara me shërbime shëndetësore dhe psiko-sociale, sikundër edhe prindërit apo kujdestarët e tyre, të cilët do të trajnohen mbi zhvillimin e fëmijëve dhe si të kryejnë ata vetë aktivitete zhvillimore me fëmijët e tyre. Në projekt është parashikuar edhe trajnimi i prindërve të rinj për mënyrën sesi të mund të kryejnë identifikimin e hershëm të aftësisë së kufizuar tek fëmijët, si dhe i stafeve mjekësore dhe punonjësve të shërbimit psiko-social.
Krahas shërbimeve në ambientet e qendrës do të ofrohet edhe shërbim lëvizës, me qëllimin kryesor për të qenë afër çdo fëmije, të riu apo të reje, të cilët nuk mund të aksesojnë shërbimin në qendër. Shërbimet e kësaj qendre do të ofrohen edhe për banorët e tjerë të Bashkisë Librazhd. Sipas nevojës së identifikuar dhe mundësive ekzistuese të qendrës në momentin e paraqitjes së rastit, do të ofrohet dhe mbështjeja apo shërbimi i kërkuar.
Kia Green Light Project së bashku me anëtarët e komunitetit dhe përfaqësues të institucioneve lokale do të promovojnë aksesin në shërbimet e integruara dhe do të përmirësojnë shërbimet për aftësinë e kufizuar në këtë bashki.
Projekti u lançua më datë 19 korrik, ora 10:00, në Librazhd. Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet lokale, rajonale dhe kombëtare, shoqëria civile, përfaqësues të biznesit, prindër, fëmijë dhe të rinj.
Eventi u mbyll me një vizitë pranë godinës, e cila ndodhet në qendër të qytetit të Librazhdit dhe është e aksesueshme nga të gjithë.