Kamila nga Korça është një vajzë të cilës i pëlqen rregulli. Përpiqet që ditët e saj të jenë të organizuara dhe të frytshme, në mënyrë që çdo veprimi apo angazhimi t’i japë kuptim. Siç shprehet edhe vetë “nuk i pëlqen të bëjë asnjë hap të pamenduar”, në mënyrë që rruga e saj të jetë e shtruar drejt synimeve që ajo ka në jetë. Ëndërron, por arsyeshëm. Zhytet në libra, por pa lënë pas dore aktivitetin fizik dhe argëtimin. Angazhohet intensivisht në nisma komunitare që synojnë të sjellin ndryshime pozitive në jetën e fëmijëve dhe të rinjve, por gjen gjithmonë kohë edhe për familjen dhe miqtë.
“Tre gjëra mendoj se janë shumë të rëndësishme për një person. Një jetë e përmbushur dhe me kuptim, një familje e shëndetshme, si dhe një karrierë e suksesshme. Për këto mendoj dhe për këto punoj,”-shprehet 17-vjeçarja nga Korça.
Prej 7 vitesh, Kamila merr pjesë aktivisht në grupet rinore IMPACT. Një përvojë të cilën ajo e quan “jetëndryshuese”, jo vetëm për veten e saj, por edhe për komunitetin.
“Në klasën e gjashtë u bëra pjesë e grupeve IMPACT. Kjo eksperiencë më ka ndihmuar që të zhvilloj aftësitë komunikuese, të socializohem më tepër, të jem aktive dhe të ngre zërin për probleme të ndryshme në shkollë, komunitet apo në rang kombëtar,” – na tregon Kamila.
17-vjeçarja numëron dhjetëra nisma të ndërmarra me bashkëmoshatarët e saj, por të ngulitur në mendje ka nismën e saj më të hershme, ndoshta edhe sepse kjo ishte fitorja e saj e parë, e cila e nxiti që ta përforcojë dhe shtrijë angazhimin e saj.
“Mbaj mend që në shkollën tonë nuk kishte foni zëri për aktivitetet që bënim. Bashkë me grupet IMPACT hartuam një plan dhe arritëm që të mblidhnim të ardhura për të siguruar gjithë mjetet e nevojshme. Kjo ishte nisma e parë, por që është pasuar me dhjetëra të tjera të cilat kanë patur ndikim edhe në komunitet. Kemi mbështetur grupe të ndryshme shoqërore, kemi ndihmuar fëmijë në nevojë, kemi pasuruar bibliotekën e shkollës, kemi investuar në oborrin e shkollës dhe terrenet sportive,”- thekson 17-vjeçarja, ndërsa nënvizon angazhimin e saj ndër vite.
Kur i numëron, surprizohet edhe vetë. Hap pas hapi, vit pas viti, ajo ka arritur të lërë gjurmën e saj. Por, përfshirja e Kamilës i kalon kufijtë lokalë. Ajo ka dhënë kontributin e saj edhe në nisma kombëtare të ndërmarra në bashkëpunim me World Vision Albania, organizatat e tjera apo institucionet shtetërore. Ka qenë pjesë në panele dhe diskutime edhe në nivel ministror, ku ka folur rreth sfidave dhe problemeve që hasin fëmijët dhe të rinjtë, por edhe për zgjidhjet që ajo propozon. Si anëtare e Këshillit Vendor Rinor në qytetin e saj, por edhe si pjesë e grupeve IMPACT, Kamila ka dhënë kontributin e saj edhe në hartimin dhe vlerësimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.
“Si anëtare e Këshillit Vendor Rinor, unë përfaqësoj zërin e mijëra të rinjve korçarë; problemet, kërkesat dhe objektivat e tyre. Kjo strukturë shërben si një platformë për të ndikuar vendimmarrësit lidhur me çështjet që na prekin ne të rinjve,”- rrëfen Kamila, e cila thotë se angazhimi me IMPACT ia ka bërë më të lehtë përfshirjen në Këshillin Vendor Rinor.
Respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe krijimi i mundësive të barabarta që të gjithë të mund ta jetojnë jetën në plotësi dhe të shfaqin potencialin e tyre të plotë, për Kamilën janë themelore që një shoqëri të përparojë dhe të ketë një të ardhme të sigurt.
“Nuk mund të ketë të nesërme, nëse nuk kujdesemi për të tashmën. Fëmijët dhe të rinjtë janë e tashmja dhe e ardhmja dhe ne duhet të punojmë për fuqizimin e tyre,” – thotë e reja nga Korça, e cila mban edhe titullin “kampione e të drejtave të fëmijëve”, pas një konkursi të zhvilluar mes shkollave në Korçë gjatë vitit të kaluar.
Përveç angazhimit për të drejtat e fëmijëve, Kamila është edhe një zë i fortë për çdo vajzë e grua. Ajo është përfshirë në disa nisma që kanë në fokus gjithëpërfshirjen dhe barazinë gjinore. Si një vajzë që angazhohet sistematikisht në aktivitete sportive, përmend nismën #1goal4impact, e cila synonte të jepte mesazhe për barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen.
“Mendoj që kemi arritur të eliminojmë disa paragjykime. Tashmë përfshirja e djemve dhe vajzave në aktivitete sportive të përbashkëta po kthehet në një traditë. Gjithsesi ka nevojë të bëhet më shumë punë në këtë drejtim, për të garantuar çdo vajzë të ketë mundësi të shpalosë talentet e saj, që të dëgjohet dhe që të përfshihet në vendimmarrje,” – shprehet Kamila.
Për 17 vjeçaren, sfidë mbetet ndryshimi i mentalitetit tek moshat e vjetra. Sipas saj, të rinjtë kanë dalë nga ky rreth vicioz.
“Të rinjtë janë mendjehapur. Kjo edhe për shkak të aktiviteteve që kemi bërë. Këtë ndryshim e ndjej edhe vetë, pasi në rrethin tim shoqëror, secili është i barabartë, i vlerësuar, i mirëpritur,”- na tregon Kamila.
Pavarësisht sfidave të përditshme, sipas Kamilës punësimi është një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballen të rinjtë sot. Këtë çështje ajo e ka ngritur edhe me grupin e të rinjve nga e gjithë Shqipëria, SAY IT DIGITAL. Përveç mesazheve që jepen në ekspozitën me fotografi bardh e zi, 17-vjeçarja ka edhe një zgjidhje për autoritetet, të cilën e ka parashtruar edhe në Këshillin Vendor Rinor.
“Për shumë prej nesh, drejtimi që do të marrim në jetë përcaktohet që në adoleshencë. Të rinjve sot u mungon orientimi për karrierën. Kemi nevojë për një program të detajuar dhe më afatgjatë dhe jo vetëm për një modul që zhvillohet në klasën e 12-të,” – shprehet Kamila.
E reja e talentuar në matematikë e sheh të ardhmen e saj në fushën e teknologjisë, por pavarësisht orientimit që do të marrë në jetë, “zemra e saj do të vazhdojë të rrahë për fëmijët.” Ajo e mbyll rrëfimin e saj me një mesazh drejtuar të rinjve.
“Bashkëmoshatarëve të mi ju them; shfrytëzojeni çdo mundësi që ju jepet, përfshihuni në diskutime, angazhohuni në nisma, mbroni njëri-tjetrin. Ndyshimi i kërkuar vjen vetëm përmes ideve tuaja, kreativitetit tuaj, energjive tuaja,” – thotë ajo.
World Vision Albania punon me 1,496 fëmijë dhe adoleshente nga 91 grupe IMPACT në 11 bashki të Shqipërise, duke i fuqizuar ata me kompetenca, vlera pozitive dhe besim tek vetja e komuniteti.