“Babi na braktisi kur ishim të vogla. Megjithatë bashkë me mamin dhe tre motrat vazhduam jetën duke pasur të afërm e komshinj që na u gjendën pranë në çdo vakt të ditës. Ai ishte shumë i rëndësishëm për mua, dhe këtë gjë arrij ta kuptoj vetëm tani që jam rritur ” – tregon Anxhela, vajza nga Korça. Duke mësuar shumë arriti të fitojë bursën Pashko në UET sepse nuk donte të hiqte dorë nga shkolla e lartë.
Ajo është një nga të rinjtë më aktivë në fshatin e qytetin e saj, e cila ndihmon gjithkënd që ka mundësi t’i vijë në ndihmë. Por fëmijërinë e saj nuk e kujton aspak të thjeshtë: “Unë së bashku me motrën e tretë vazhdonim shkollën, duke u hedhur nga një klasë në tjetrën me shumë vështirësi sepse kërkesat filluan të rriteshin për mamin. Ajo punonte shumë, por të ardhurat nuk mjaftonin, librat dhe mjetet shkollore mungonin.”
Vogëlushet rriteshin nga dita në ditë. E ëma përpiqej me mish e me shpirt t’iu plotësonte të gjitha kërkesat, por të ardhurat shpeshherë nuk ishin të mjaftueshme. Kur Anxhi ishte në klasën e shtatë u bë pjesë e konkursit të pikturës së organizatës World Vision. Më pas filloi të merrte pjesë vazhdimisht në aktivitetet e organizuara nga qeveria e nxënësve dhe organizata. Krijoi shumë shok shoqe që e përkrahën sa herë kishte nevojë, mes tyre ishte Klerina. E kishte komshije, drejtuese të grupit të të rinjve të kishës dhe vullnetare në World Vision.
Duke qënë pjesë e grupit të të rinjve të WV u bë pjesë e shkollës dimërore për maturantë nga Universiteti Europian i Tiranës, të cilët vinin nga grupet e Impakteve të fshatrave të ndryshme te Korçës.
Pas disa kohësh Klerina e kishte lajmëruar se kishte fituar bursën. Shkuan tek Universiteti sepse ishte ceremonia e dhurimit të bursave. “Gjatë ceremonisë mami ishte e përlotur nga gëzimi. Lumturia jonë i kishte kaluar kufijtë dhe unë ndihesha si në ëndërr. Unë u rrita në World Vision, shkoja atje sa herë kisha nevojë e sot jam prapë shumë e lumtur që së bashku me Brajanin do prezantoj Festivalin e të Rinjve për Drejtësinë Sociale 2017, sepse mendoj që ne të rinjtë duhet të reagojmë, të përmirësojmë jetën në komunitetin ku jetojmë e të jemi shembull për të gjithë ata që kanë nevojë” – tregon ajo.