Ivana, fermerja një model frymëzimi për çdo vajzë dhe grua

ivana

Për Ivanën, netët janë shumë të shkurtra. Drita e parë e mëngjesit e gjen atë në punë. Herë duke ushqyer bagëtitë, e herë duke punuar tokën. Zgjohet pa aguar, ndërsa mesnatën e pret shpesh ende në këmbë, duke mbyllur punët e shtëpisë.

Këto janë punë të përditshme për fermeren nga Maliqi që i sjellin gëzim dhe të ardhura të bollshme për familjen.

49-vjeçarja ka një lidhje të fortë me tokën dhe natyrën. Me punën dhe pasionin e saj, ajo ka arritur të jetë jo vetëm një fermere e suksesshme, por edhe një grua frymëzuese për të gjithë banorët e zonës ku jeton.
“Puna për mua është e shenjtë dhe nuk ka njeri në botë që të më mbushë mendjen për të kundërtën,” – thotë Ivana, teksa na rrëfen rreth jetës së saj dhe përpjekjeve në bujqësi e blegtori.

Sot shijon frytet e punës, por rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë. Ivana ishte vetem 3 vjeçe kur humbi të atin, që për të ishte shtylla e shtëpisë. Me mbështetjen e familjes dhe kurajon që e karakterizon, Ivana gjeti forcën të ecë përpara.

“Mamaja më thoshte shpesh që të mbaja vendin që më takonte si vajzë, si motër, por dy vëllezërit nuk më kanë detyruar kurrë që për shkak të tyre të tregohesha më e rezervuar apo më e tërhequr. Nëse do isha treguar e tërhequr nuk do kisha arritur gjërat që kam sot,”- rrëfen ajo, ndërsa tregon se është përballur shpesh me sfida edhe për shkak të mentalitetit.

Ivana është kurajoze, luftarake dhe optimiste. Përgjatë viteve, ajo është marrë me rritjen e derrave, dhive apo lopëve, si dhe kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, si misër, fasule apo jonxhë.

“Sfidat i marr me shumë sportivitet. Megjithatë, pa prezencën dhe përfshirjen me World Vision nuk do kisha kaq shumë optimizëm për të ardhmen. Përmes trajnimeve kam mësuar shumë. Di si të kujdesem për bimët dhe kafshët, si të bëj plan biznesi, apo si të aplikoj për kredi e të gjej blerësit. Njohuria që kam marrë është e pafund, ”- thotë ajo.

Ivana është bashkuar që në vitin 2015 me grupin e fermerëve të mbështetur nga World Vision në komunitetin ku ajo jeton. Falë përkushtimit të vazhdueshëm, njohurive të fituara dhe rezultateve të arritura, nga një fermere e thjeshtë, u zgjodh drejtuese e grupit të fermerëve të fshatit Libonik, aty ku edhe jeton.

Ajo ka qenë pjesë e të gjitha trajnimeve të organizuara për bujqësinë e qëndrueshme, për zinxhirin e vlerave, si dhe për menaxhimin e burimeve natyrore në zonë. Tashmë është vetë Ivana që trajnon fermerët e tjerë të fshatit të saj për këto tema.

“Nuk ka asgjë që mund të më ndalë pasionin e punës. Jam kaq e lidhur me tokën sa nuk e shpjegoj dot. Në kohën kur e gjithë bota ndaloi, unë merrja mbesën me makinë dhe shkonim te tokat,” – thotë Ivana, vrullin e së cilës, as pandemia e covid 19 nuk e frenoi dot.

Toka është burimi kryesor i të ardhurave për familjen e Ivanës, ndërsa bashkëshorti e ndihmon vazhdimisht në përpjekjet e saj. Duke hedhur pas krahëve paragjykimet, Ivana sytë i mban drejt së ardhmes.

“Nuk pendohem për asgjë në jetë. Kam një natyrë që nuk më bëjnë përshtypje as fjalët, as barrierat gjinore, as vështirësitë financiare, as mungesa e njohurive, as kapacitetet. Ne mund të mësojmë që t’ia dalim. Kam hasur shumë shpesh në paragjykime, por do vazhdoj përpara,” – shprehet ajo.

Ivana vë fort theksin tek emancipimi dhe fuqizimi i gruas, si një shtyllë kyçe për avancimin e shoqërisë. Në përfundim të bisedës me të ajo ka një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat: Të guxojnë, të angazhohen dhe të ndërmarrin nisma. Ka vetëm një mënyrë për t’ia dalë: puna.

*Ivana është pjesë e 200 fermerëve dhe rrjetit të ngushtë prej 10 drejtuesish, me të cilët World Vision punon në zonën e Korçës dhe Maliqit.