Durrës – Një terren i ri sportiv multidisiplinar me fushë futbolli, pistë vrapimi si dhe kënd basketbolli, si dhe një palestër tërësisht e rikonstruktuar, do të jenë në dispozicion të 310 fëmijëve dhe adoleshentëve të shkollës 9-vjeçare “Fshat Rinia” në bashkinë Durrës.
Duke mirënjohur përfitimet e jashtëzakonshme të aktiviteteve sportive në nxitjen e bashkëveprimit, tolerancës, gjithëpërfshirjes, si dhe përmirësimin e shëndetit fizik, mendor dhe emocional të fëmijëve, organizata World Vision Albania në bashkëpunimin e Bashkisë Durrës, kanë investuar në rikonstruksionin e terrenit sportiv multidisplinar dhe rehabilitimit të mjediseve të brendshme të palestrës së shkollës ‘Fshati Rinia’. Një investim prej 60 mijë dollarë nga ana e World Vision Albania dhe 20 mijë dollarë nga Bashkia e Durrësit.
Investimi ka si qëllim promovimin e sjelljeve dhe qëndrimeve pozitive ndaj sportit dhe mirëqënies fizike për të rinjtë dhe fëmijët e zonës, por edhe anëtarëve të tjerë të komunitetit.
Në ceremoninë e përurimit të ambienteve të reja sportive, ishin të pranishëm kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Durrës, Amarilda Thermija, drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, drejtoresha e shkollës Irdajena Llapushi, si dhe fëmijë, mësues e prindër.
Gjatë bashkëbisedimit, drejtuesit e institucioneve dhe fëmijët deklaruan se krijimi i infrastrukturës për zhvillimin e aktiviteteve sportive në shkolla është një mundësi e mirë për fëmijët dhe adoleshentët që të rriten të shëndetshëm, të përmirësojnë aftësitë sociale, të zbulojnë talentet dhe të rrisin vetëbesimin e vetëvlerësimin.
Gjatë eventit, të rinjtë e grupeve IMPACT bashkëbiseduan me të pranishmit, ku i njohën me disa nga nismat e tyre, ndërsa dhanë edhe mesazhe mbi rëndësinë e aktivitetit fizik, sportit dhe të drejtat e fëmijëve.