Në kuadër të ditës ndërkombëtare të “Internetit të sigurt”, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon forcimin e bashkëpunimit midis katër ministrive për sigurinë online të fëmijëve.
“Ne kemi rreth 4 vite që po punojmë për sigurinë online të fëmijëve dhe sot jemi shumë të lumtur që u hodh ky hap i rëndësishëm në punën dhe qëllimin tonë të përbashkët për t’i garantuar të miturve një hapësirë të sigurt online ”, – u shpreh Toni Gogu, drejtor kombëtar i World Vision. Ai gjithashtu shtoi se organizata do të vazhdojë të jetë përkrah insititucioneve përkatëse për ta vënë në jetë këtë marrëveshje.
Prej disa ditësh, qindra fëmijë nga 10 rrethe të vendit kanë ndarë shqetësimet dhe rekomandimet e tyre për një internet të sigurt. Në një takim të organizuar nga World Vision, ku morën pjesë 45 përfaqësues të tyre, Indriti, 15 vjeç, tha: “Ne kemi nevojë që të ndërtohet një faqe zyrtare online ku mund të futemi lehtësisht e të raportojmë sa herë që ngacmohemi apo rrezikohemi online”.
Për Indritin dhe të gjithë bashkëmoshatarët e tij, kjo faqe është tashmë realitet. Në konferencën e sotme, u prezantua edhe platforma isigurt.al, ku çdo fëmijë dhe i rritur mund të raportojë shumë lehtë. Kjo platformë është krijuar për të mbrojtur fëmijët të cilët mund të jenë viktima të abuzimit dhe dhunës seksuale në internet, për të identifikuar dhe bllokuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet.