Igli nga Tirana, kampioni i nismave rinore për eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve, ishte zëri përfaqësues i miliona fëmijëve dhe të rinjve në Asamblenë e 76-të të OBSH-së.
Gjatë vizitës në Gjenevë, i riu nga grupet e të rinjve IMPACT të World Vision Albania, u bë pjesë aktive e diskutimeve me përfaqësues të OBSH-së dhe politikbërës nga e gjithë bota. Ai përcolli sugjerime konkrete se çfarë duhet të bëjë sektori i shëndetësisë për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve.
Gjatë diskutimeve, 18-vjeçari kërkoi nga liderët të alokojnë më shumë burime financiare dhe njerëzore, si dhe kërkoi më shumë hapësira që vetë fëmijët dhe të rinjtë të përfshihen në proceset konsultuese dhe vendimmarrëse për çështjet që lidhen direkt me ta.
Igli është prej 10 vitesh pjesë e programeve të World Vision Albania dhe ka përfaqësuar disa herë bashkëmoshatarët e tij në aktivitete lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe ka marrë pjesë në hartimin e dokumenteve strategjike për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve.