31 korrik 2024 – Banorët e Librazhdit kanë tashmë në dispozicion një Qendër Komunitare Multifunksionale, e cila ofron shërbime të specializuara për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, prindërit, profesionistët e gjithëpërfshirjes, si dhe mbështet familjet në nevojë për gjenerim të ardhurash.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, si dhe profesionistë të shërbimeve sociale, të rinj dhe prindër.
“Po punojmë që të kemi sa më shumë qendra të tilla që ju shërbejnë fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara. Ky besoj se është është shembulli perfekt se si bashkëpunimi mes pushtetit vendor, qeverisë dhe organizatave partnere finalizohet me një histori suksesi si qendra që sapo inaguruam,” – deklaroi ministrja Albana Koçiu, ndërsa vlerësoi kontributin e World Vision Albania në vënien funksion të qendrës dhe ofrimin e shërbimeve.
“World Vision punon prej 25 vitesh në Shqipëri dhe prej 17 vitesh në Librazhd. Mbështetja jonë shumëplanëshe do të vazhdojë me qëllim rritjen e mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve më në nevojë, si dhe fuqizimin e familjeve dhe komuniteteve të tyre. Dua të falenderoj Kia-n për financimin, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Bashkinë Librazhd për bashkëpunimin e frytshëm. Të bashkuar mund të sjellim ndryshime pozitive, afatgjata dhe të qendrueshme,” – tha Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi.
Kjo qendër është ngritur në kuadër të “Kia Green Light Project”. Projekti zbatohet nga organizata World Vision në Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e World Vision Korea dhe financimin e Kia.
Në kuadër të këtij projekti:
- 62 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara do të mbështeten më shërbime fizioterapie dhe logopedie, si dhe prindërit/kujdestarët e tyre me aktivitete zhvillimore për fëmijët e tyre;
- 30 stafe mjekësore dhe 30 punonjës të shërbimit psiko-social në Librazhd do të trajnohen mbi fazat e zhvillimit të fëmijëve dhe shenjat e hershme të aftësisë së kufizuar, si dhe si të punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara;
- 1500 të rinj nga mosha 12-18 vjeç do të mbështeten me aktivitete psiko-sociale;
- 60 nëna/kujdestare të fëmijëve të vegjël do të trajnohen mbi fazat e zhvillimit të fëmijëve dhe shenjat e hershme të aftësisë së kufizuar;
- 60 fermerë/familje në nevojë do të mbështeten me aktivitete për gjenerim të ardhurash
Krahas shërbimeve në ambientet e qendrës do të ofrohet edhe shërbim lëvizës në shtëpi për çdo fëmijë apo të ri që jeton në zonat rurale të Bashkisë së Librazhdit dhe që nuk mund ta aksesojë shërbimin në qendër.