“Hapësira miqësore për të mitur në kontakt apo në konflikt me ligjin”

DSC_0011

Në Shqipëri numri i të miturve që janë në kontakt dhe konflikt me ligjin, të identifikuar në Komisariatet e Tiranës ( Sipas ARSIS- Nisma për ndryshim shoqëror) është rritur 20  herë.  Në vitin 2011 janë identifikuar 46 të mitur dhe në fund të  vitit 2017, numri i tyre ka shkuar në 933.

Institucionet e zbatimit të ligjit, duhet të shikohen si stuktura në përkrahje të  interesit dhe edukimit të të miturve që janë në konflikt me ligjin, dhe jo si institucione ndëshkimi, apo ri-viktimizimi gjatë procesit të intervistimit.

Rastet e paraqitura në Komisariatin nr .5 në Kamëz, janë fëmijë – viktima të dhunës fizike dhe psikologjike në familje; të larguar nga banesa për shkak të situatës së vështirë ekonomike/si dhe neglizhencës së theksuar të prindërve. Shumë prej të miturve janë në konflikt me ligjin për vjedhje me dhunë. Të dhënat nga komsiariati tregojnë se nje pjesë e të miturve janë në situatë rruge; viktima të shfrytëzimit ekonomik; lypjes; konflikteve me moshatarë (bullizëm) ose me persona më të rritur në moshë. Në rastet e identifikuara ka edhe viktima të ngacmimit seksual nga më të rritur.

“World Vision dhe Nisma Për Ndryshim Shoqëror- ARSIS vlerësojnë si shumë të rëndësishme dhe si një kërkesë e Kodit Penal për të Mitur, trajtimin e të miturve viktima, dëshmitarë apo autorë të trajtohen në ambiente miqësore. Sot në Komisariatin nr. 5 në Kamëz, inagurohen ambientet miqësore, ku do të zhvillohen intervistat më të miturit në konflikt apo kontakt me ligjin. Ky është komisariati i parë në Tiranë, ku të miturit do të trajtohen me standarte në përputhje me të drejtat e tyre ligjore, jo vetëm përsa i takon ambienteve fizike, por edhe qasjes së oficerëve të policisë gjyqësore që janë në kontakt të drejtëperdrejtë me ta.  Vetëm gjatë vitit të fundit World Vision ka mbështetur 73 raste në Tiranë, që kanë nevojë për shërbime ligjore.  Është e rëndësishme që të gjithë aktorët e përfshirë në sistemin e drejtësisë për të mitur të kenë një të kuptuar, përsa i takon standardeve të trajtimit të të miturve në procese ligjore. Çdo veprim i organeve të drejtësisë duhet të ketë në fokus mirëqenien e fëmijës dhe respektimin e parimit të interesit më të lartë të tij.”- u shpreh Eljona Boçe Elmazi, drejtoreshë e World Vision për Ballkanin Perëndimor.

Duke parë këto nevoja si dhe përcaktimet e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, World Vision në Shqipëri ka marrë angazhimin të mbështesë institucionet shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Shtetit si dhe Ministrinë e Drejtësisë për krijimin e hapësirave miqësore për trajtimin e fëmijëve në komisariat.

Sipas Raportit mbi Situatën e Mirëqenies së Fëmijëve në Shqipëri nga World Vision (Child Well-Being 2016-2017) 70% e fëmijeve shqiptarë, pohojnë se kanë përjetuar dhunë dhe 80% e prindërve, pranojnë se kanë përdorur dhunë ndaj fëmijëve të tyre si mjet disiplinimi.

World Vision është një organizatë zhvillimi komunitar, e krishterë, humanitare dhe advokatie. Prej dy dekadash ne punojmë me 32 mijë fëmijë, në 220 komunitete në nevojë. World Vision njihet në komunitet si mobilizues dhe ndërlidhës i tyre me institucionet dhe organizatat për çështje që prekin jetën e fëmijëve. Gjatë kësaj periudhe kemi bashkëpunuar me 56 organizata, 18 kisha dhe organizata me bazë besimi.