Në ditët e sotme përdorimi i teknologjisë nuk është alternativë, ndaj është e rëndësishme që veçanërisht brezi i ri të mësojë ta përdorë teknologjinë për t’i shërbyer të ardhmes së tyre, përmirësimit të jetesës, por edhe mirëqenies së shoqërisë.
Për këtë arsye, World Vision Albania mbështeti për të tretin vit radhazi Korça ICT Academy-Code for Albania, me qëllim fuqizimin dhe aftësimin e të rinjve në teknologji dhe inovacion.
100 të rinj nga e gjithë Shqipëria, 17 prej të cilëve nga grupet IMPACT të World Vision Albania, kanë përmbyllur me sukses kampin 2 javor Korça ICT Acedemy – Code for Albania, duke u pajisur me aftësi që i bëjnë ata gati për tregun e punës.
Në ceremoninë përmbyllëse, të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë prezantuan edhe disa prej projekteve të tyre, të dizenjuara nën udhëheqjen e instruktorëve amerikanë nga Universiteti i Standford.
Akademia Verore e Teknologjisë dhe Informacionit është një mundësi fantastike për të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë, për t’i pajisur ata me aftësi që i bëjnë gati për tregun e punës. Ajo synon mbështetjen e të rinjve për të arritur potencialin e tyre të plotë, por edhe angazhimin e tyre për zgjidhjen në mënyrë inovative të problematikave në komunitetet ku ata jetojnë.
Code for Albania është një trajnim 3 vjeçar i strukturuar në kampe verore dhe leksione gjatë gjithë vitit. Me përfundimin e kampit dyjavor, Akademia e Inovacionit vijon përgjatë vitit me sesione mësimore online, me synim përgatitjen e të rinjve për tregun kombëtar dhe global të punës, si dhe angazhimin e tyre për zgjidhjen në mënyrë inovative të problematikave në komunitetet ku ata jetojnë.
Kurrikulat më të mira të kodimit dhe programimit, përvoja amerikane dhe kreativiteti i të rinjve shqiptarë janë garanci që shumë start-up-e të suksesshme do të krijohen nga kjo nismë.
Ky kamp u organizua nga Code.X dhe AlphaPlan me mbështetjen e Bashkisë Korçë, World Vision Albania dhe Raiffeisen.