“Edukimi cilësor, veçanarisht i vajzave, është mënyra më efektive për të minimizuar të gjitha llojet e problematikave sociale me të cilat haset shoqëria. Edukimi i fuqizon vajzat, i bën ato më të lira, por është edhe një mënyrë e shkëlqyer për të ulur varfërinë apo dhunën në familje,” – shprehet Debora, e cila prej 8 vitesh është pjesë e grupeve rinore IMPACT të World Vision Albania.
Këtë vit, ajo ka hedhur një hap të rëndësishëm në jetën e saj, pasi ka nisur studimet për Mjekësi në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Edhe pse presioni për t’u larguar nga vendi është i lartë, 19-vjeçarja i ka synimet e qarta. Ajo dëshiron që energjitë, dijet dhe potencialin e saj si studente e së sotmes, por edhe si profesioniste e së nesërmes, t’i vendosë në shërbim të Shqipërisë dhe komunitetit ku ajo jeton.
“Mjekësia është profesion humanist dhe lufta për jetën është një front i vështirë, në të cilin unë kam vendosur të jap gjithë energjinë dhe dijet e mia. Mendoj se aftësitë e mia në komunikim, empatia dhe të qenit luftarake, cilësi të fituara nga përvoja ime me World Vision Albania, do të më ndihmojnë në punën time si mjeke në shërbim të njerëzve. Dua që të gjitha këto aftësi, së pari t’i vë në shërbim të vendit tim,”- na tregon Debora.
Përveç shkollës, Debora thotë se një rol të rëndësishëm në jetën e saj ka patur përfshirja në grupet IMPACT të World Vision Albania, eksperiencë që e ka ndihmuar të ndërtojë aftësi, kompetenca dhe të fuqizohet për përfshirje aktive në jetën sociale të komunitetit të saj.
“Grupet IMPACT kanë formësuar një pjesë të karakterit tim. Duke u përpjekur të bëj më shumë për të tjerët, siç është edhe një nga motot kryesore të kësaj organizate, kam arritur të njoh dhe të kuptoj më mirë veten. Kjo eksperiencë më ka ndihmuar dhe më ka nxitur gjithashtu që të fokusohem të rëndësia e arsimimit, por edhe të jem një zë për të gjitha vajzat, që ato të kenë mundësi të ndjekin shkollën,” – thotë Debora.
Sipas saj, një prej problematikave më të mëdha me të cilën përballet ende shoqëria shqiptare është diferencimi që bëhet mes djemve dhe vajzave, ku këtyre të fundit nuk nuk u ofrohen mundësi të barabarta për të shfaqur potencialin e tyre të plotë. Bashkë me grupet IMPACT, ajo ka ndërmarrë disa nisma sensibilizuese në komunitet, ndërsa i ka adresuar këto çështje edhe në studiot televizive.
“Një prej sfidave më të mëdha është fakti se ende shoqëria jonë i ndalon vajzat të ndjekin ëndrrat e tyre, të fillojnë universitetin dhe të krijojnë pavarësi ekonomike. Realizimi i një filmi me metrazh të shkurtër mbi barazine gjinore, ku pata privilegjin të provoja veten si skenariste dhe si aktore kryesore, ka qenë një prej përvojave më të veçanta me World Vision. Video (KLIKO KËTU për ta parë) e cila gjendet në kanalin zyrtar të World Vision Albania në YouTube është parë nga rreth 46 mijë persona, shifër që tregon për impaktin që ka arritur të ketë në shoqëri,”- thotë Debora. Barazia gjinore dhe shkollimi i çdo fëmije dhe adoleshenti, pavarësisht gjinisë, është tema e historisë që Debora dhe bashkëmoshatarët e saj kanë trajtuar dhe interpretuar në këtë film me metrazh të shkurtër, së bashku me anëtarë të tjerë të komunitetit.
Debora është përfshirë edhe në dhjetëra nisma të tjera, duke qenë një aktore e rëndësishme në komunitetin e saj, ku ndalet më gjatë tek iniciativa për krijimin e Këndeve të Qetësisë në shkolla, ndërsa përmend edhe kontributin në përmirësimin e dokumentit të Strategjisë për Rininë 2022-2029.
“Krijimi i ‘Këndit të qetësisë’ në shkolla ishte një tjetër nismë që e kam përzemër, sepse merrte në konsideratë rëndësinë e shëndetit mendor tek adoleshentët dhe shërbeu që shkollat të krijonin hapësira përtej tradicionales. Në këto kënde, nxënësit promovonin mirëqenien fizike dhe mendore, promovonin vlera pozitive, por edhe kalonin kohë cilësore me njëri-tjetrin,” – kujton Debora.
Të studiosh për mjekësi, kërkon angazhim kolosal, deri në netë pa gjumë. Por Debora premton se edhe si studente do të vijojë të jetë një zë i fortë për fëmijët dhe të rinjtë, e në mënyrë të veçantë për vajzat.
“Ndryshimi nuk vjen me fushata, por duke u angazhuar në mënyrë të vazhdueshme. Edhe pse më duhet të studioj shumë, unë nuk do të heq dorë nga advokimi për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve. Familja, World Vision, shkolla, kanë luajtur rol në fuqizimin tim. Tani është koha që unë të ndihmoj në fuqizimin e të tjerëve,” – e mbyll mesazhin e saj Debora.