Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është një hap i rëndësishëm drejt një jete më të pavarur dhe një të ardhmeje më të sigurt. Nuk ka të bëjë vetëm me mundësinë për të siguruar të ardhura, por edhe me aftësinë për të marrë vendime, për të krijuar mundësi të reja dhe për të kontribuar në mirëqenien e familjes. Kur një grua fuqizohet ekonomikisht, përfitimet shkojnë përtej saj; te fëmijët, familja dhe komuniteti.
Përmes projektit “RISE HER – Fuqizojmë gratë dhe vajzat për një jetesë të pavarur”, të financuar nga Bashkimi Evropian, organizata World Vision Albania po mbështet dhjetëra gra dhe vajza në 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit, për të zhvilluar aftësitë dhe mundësitë që u nevojiten për një jetë më të pavarur ekonomikisht.
Përmes projektit, 5 gra janë mbështetur për të zhvilluar dhe nisur startup-et e tyre, ndërsa 103 gra janë trajnuar për të hartuar planet e tyre të biznesit, duke fituar njohuri dhe aftësi për të zhvilluar idetë e tyre dhe për të krijuar mundësi të reja për pavarësi ekonomike.
Në këtë video-dokumentar, Vera nga Prrenjasi, Adelina dhe Manola nga Elbasani, dhe Resmia nga Belshi ndajnë rrugëtimin e tyre, sfidat që kanë kaluar dhe mënyrën se si kjo mbështetje po i ndihmon të ecin përpara.
Këto katër histori janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të krijuar më shumë mundësi për gratë dhe vajzat, për të nxitur sipërmarrjen dhe për t’i mbështetur ato drejt një jete më të pavarur.
Projekti “RISE HER – Fuqizojmë gratë dhe vajzat për një jetesë të pavarur” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga World Vision Albania dhe Forumi i Gruas Elbasan, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit.