Bletët për të nuk janë thjesht një pasion, janë puna e përditshme, përkujdesje pa kushte, dhe një trashëgimi e vyer nga i ati. Një pasuri të madhe e quan “Parkun me Bletë”, Floreta, fermerja 43- vjeçare nga Librazhdi e cila që në vegjëli është rritur në një shtëpi që mbante bletë.
Pas humbjes së të atit, asaj i është dashur të kujdeset e vetme për bletët. Fillimisht i është dashur të dalë kundër mentalitetit të zonës, pasi është e vetmja bletërritëse femër aty, e më pas sfidat e njëpasnjëshme për t’u njohur më gjatë me rritjen dhe zhvillimin e bletës, për të çuar më tej traditën familjare dhe për ta kthyer atë sot në një biznes fitimprurës për familjen.
“Unë bletën e kam trashëgimi nga babai, i cili merrej me bletë që herët dhe unë isha ndihmësja e tij. Pasi babai ndërroi jetë, i gjithë Parku me Bletë i shtëpisë më mbeti mua. Ishte shumë e vështirë sepse isha pa mbështetje, vetëm babai i dinte kontaktet, zhvillimin e saj. Nevoja për njohuri të reja për zhvillimin e saj ishin një domosdoshmëri. Fillimisht nisa të kërkoj informacion të vazhdueshëm për mbarështimin e bletëve. Më pas u përballa me faktin që isha e vetmja femër bletërritëse në zonë. Por, unë vendosa të ruaj traditën e babait, nuk u dorëzova kurrë, u lidha aq shumë me bletët dhe familjen e ktheva në mbështetjen time më të madhe, madje dhe fakti që zgjodhëm me bashkëshortin pas martese të jetonim këtu në shtëpinë e prindërve ishin pikërisht për të mos braktisur bletët,”- na tregon Floreta.
Dita për të, nis dhe mbyllet me përkujdesjen ndaj bletëve. Nëna e saj, bashkëshorti dhe vajza 18 vjeçare sëbashku japin kontributin e tyre për rritjen e bletëve. Ata njësoj si bletët të bashkuar, ndërtojnë kornizat me dyell për bletët, vjelin mjaltin apo i çojnë bletët për shtegëtim.
Sot falë punës së palodhur të Floretës, Parku me Bletë i trashëguar nga babai me 20 koshere numëron plot 150 të tilla. Floreta nuk nguron të na tregojë se në rrugën e gjatë të rritjes së aktivitetit të saj, një kontribut të rëndësishëm ka patur edhe World Vision i cili prej vitesh iu vjen në ndihmë fermerëve të kësaj zone në kuadër të programeve për zhvillimin ekonomik rural.
“U njoha me World Vision para disa vitesh kur në fshatrat tona po identifikoheshin fermerë të rinj për t’ju ofruar mbështetje në punën e tyre. Krijuam Këshillin e Biznesit dhe u bëmë bashkë për të mirën e përbashkët të punës sonë. Unë falë World Vision kam marrë më shumë njohuri dhe kam fituar më shumë eksperiencë me bletët. Më kanë mbështetur me trajnime, me cetrifugën e re që më ndihmon të nxjerr mjaltin dhe me koshere bletësh. Kam marrë pjesë në takime që kemi shkëmbyer eksperienca me vende të tjera, kjo më ka ndihmuar ta shtoj dëshirën dhe të zgjeroj edhe më shume aktivitetin tim me bletë,”- na tregon me krenari Floreta.
Por, shtimi i Parkut të Bletëve si rrjedhojë e rritjes së kërkesës e ka vënë atë përballë sfidës së ruajtjes së mjaltit në kushtet e duhura, promovimit të majltit edhe më tej se të njohurit e saj, apo certifikimin e produktit të saj bio brenda standardeve, nevoja këto që Floreta i adreson si pasojë e mungesës së tregut.
“Mungesa e një tregu të organizuar përbën gjithmonë një vështirësi reale, pasi na duhet të kërkojmë shumë për të siguruar klientë të besueshëm. Zona jonë vuan prej vitesh mungesën e një Pike Grumbullimi. Unë e shes mjaltin tim vetëm tek individë që kthehen në klientë të vazhdueshëm të produktit që unë shes. Sektori i bletarisë kërkon një vëmendje të madhe në trajtim e deri në vjeljen e prodhimit. Koha që unë shpenzoj për sigurimin e tregut më largon disi nga shërbimi në kohë të kontrollit të shëndetit të bletës. Kemi nevojë për certifikim të produkteve tona bio që të jenë të siguruara dhe të rrisin mundësitë tona për të nxitur prodhimin më tej. Nëse kam siguri në shitjen e menjëhershme të sasisë së produktit do të zgjeroj edhe më shumë Parkun e Bletëve. Duke siguruar shitjen kam më shumë kohë të punoj në drejtim të zgjerimit dhe rritjen e cilësisë për konsumatorin,’- shton ajo.
Floreta shprehet se një asistencë këshillimore dhe sigurim inputesh bujqësore për trajtimin e bletës nga Pika e Grumbullimit e cila do të funksionte si një qendër për të gjithë, do të lehtësonte jo vetëm shërbimin e saj për bletën, por do të rriste ndjeshëm parqet me bletë dhe sasinë e mjaltit vendas.
Por ajo nuk ështe e vetmja fermere e cila ngre shqetësimin për një treg të përbashkët për produktet bio të kësaj zone e cila do t’i ndihmonte ata për ruajtjen, magazinimin, certifikimin apo tregëtimin e produkteve të tyre të cilat nga shtimi i prodhimit rrezikojnë të shkojnë dëm.
Për këtë, së fundmi në zonën e Librazhdit ka nisur puna për ndërtimin e një Pike Grumbullmi në saj të projektit “Jo Drogë, Pikë Grumbullimi. Një alternativë e qëndrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd” nëpërmjet programit (IPA) 2018, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Bashkia Librazhd dhe World Vision Albania.
Projekti deri më tani ka krijuar grupe me nga 10 anëtarë në çdo njësi adiministrative të Bashkisë Librazhd përfshirë këtu struktura lokale dhe fermerë me eksperiencë. Ata do të punojnë bashkarisht për identifikimin e fermerëve dhe klientëve më potencialë të zonës për t’i bërë pjesë të Pikës së Grumbullimit. Projekti synon të identifikojë 360 fermerë të linjave të ndryshme të prodhimit në gjithë bashkinë.
“Mendoj se ne konkurojmë me cilësinë. Toka dhe mallrat tona japin një cilësi të jashtëzakonshme të produkteve në përgjithesi. Konkurenca është shumë e mirë për të ndërprerë abuzuesit që për fat jo të mirë janë shtuar. Qendra do të frenoje abuzuesit duke vlerësuar produktet cilësorë për konsumatorin,” – kështu e mbyll fjalimin e saj Floreta, bletërritësja optimiste e cila na mëson se vetëm nëse qëndrojmë dhe punojmë të bashkuar si bletët mund t’ja dalim.