Tiranë – Adoleshentët dhe të rinjtë kanë nevojë të kenë aftësitë e duhura për t’u bërë pjesë e tregut të punës. Megjithatë, jo rrallëherë gjenden përballë sfidave, që kërkojnë t’i japin zgjidhje për të përmirësuar të ardhmen e tyre.
Ata kanë propozime konkrete për zgjidhje dhe diskursi i tyre qëndron larg klisheve apo ankesave. Të gjitha i prezantuan në mënyrë digjitale dhe në një format krejt ndryshe siç është Festivali i Rinisë 2023.
Ky event, që e vendos fokusin tek të rinjtë, organizohet për të shtatin vit radhazi nga organizata World Vision Albania. Këtë vit së bashku me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) festivali trajton një nga çështjet më të diskutuara sot në Shqipëri: aftësitë dhe punësimi i të rinjve.
Referuar raportit vjetor të World Vision Albania[1] për 2022-in, 47%[2] e adoleshentëve raportojnë se aftësitë e buta (soft skills) janë ato që u duhen për të gjetur një vend pune në të ardhmen. Ndër të tjera evidentohet se të rinjtë ndjejnë përgjegjësi për të ndryshuar komunitetin e tyre dhe për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse që lidhen me ta.
Për të sjellë në vëmendje këtë çështje, grupet e të rinjve në 7 bashki të vendit, gjatë 2023-it ndërmorën një fushatë të quajtur ‘Thuaje’ – SAY IT DIGITAL. Përmes fotografive bardh e zi ata jepnin mesazhe rreth: edukimit cilësor, aftësimit sipas kërkesave të tregut të punës, apo rreth rolit të vajzave dhe grave në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, etj.
Çdo qytetar që pati mundësi ta vizitojë këtë ekspozitë fizikisht apo virtualisht, kishte mundësinë të jepte edhe propozime për zgjidhjen e sfidave që hasin të rinjtë kur përballen me tregun e punës.
Festivali finalizon këtë nismë dhe kërkon angazhim nga institucionet qendrore dhe vendore, si dhe nga donatorë dhe organizatat që të ndërmarrin veprime konkrete.
Eventi u zhvillua tek Piramida e Tiranës, në datë 27 Shtator, ora 16:00. Qëllimi i Festivalit të Rinisë 2023 është që t’ju japë zë të rinjve, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të tyre si vendimmarrës në adresimin e problematikave që prekin direkt jetën e tyre.
[1] https://worldvision.al/raporti-vjetor-2022-world-vision-albania/
[2] Konsultim me 793 adoleshentë nga Dibra, Durrësi, Kamza, Korça, Kurbin, Librazhd, Maliq, Shkodra, Tirana