Fermerët e FoodHub në zonën e Librazhdit trajnohen për trajtimin e arrorëve

1

Kultivimi i arrorëve është një tjetër fushë që fermerët e Librazhdit e njohin mirë, pasi prej vitesh kultivojnë lajthi,arra dhe gështenja.

32 fermerë, nga fshati Xhyrë dhe Çerçan në këtë bashki janë pajisur me njohuri teknike mbi trajtimin e arrorëve në përgjithësi, dhe lajthisë në veçanti. Përgjate trajnimit, fermerët u informuan mbi menaxhimin e integruar të sëmundjeve dhe dëmtuesve të lajthisë e arrës.

Trajnimi u ofrua si mbështetje ndaj fermerëve të angazhuar në projektin “Jo drogë. Pikë Grumbullimi. Një alternativë e qendrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd” me qëllim rritjen e aftësive të fermerëve për t’ju përgjigjur kërkesave të reja të tregut nëpërmjet përmirësimit të teknologjive të prodhimit dhe mbrojtjes, mirë-administrimit të fermës dhe përmirësimit të cilësisë së prodhimit të arroreve në këtë zonë.

Shqetësimet e tyre në lidhje me problematikat fito-sanitare, sëmundjet dhe dëmtuesit apo ndikimet klimatike mbi kultivimin e arrorëve në këtë zonë morën përgjigje nga specialisti i fushës Shpend Spahiu. Pas trajnimit, ai realizoi edhe dalje në parcela ku evidentoi nga afër problematikat në kushte fushore dhe i njohu fermerët me material bimor të gjallë, të prekur nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Fermerët përfituan disa mësime të vlefshme sesi të marrin masa për kontrollin për kufizimin e sëmundjeve në kushtet e fermës, në mënyrë që të rrisin cilësinë e prodhimit.

Këto janë disa nga përfundimet që evidentoi eksperti në terren:

  • Bimët e arrës dhe lajthisë janë bimë të mirëpërshtatura në këtë zonë si rezultat i garantimit të temperaturave të ulta për një periudhë të gjatë kohore.
  • Kapaciteti prodhues është i lartë dhe cilësor.
  • Prezenca e sëmundjeve bakteriale e kerpudhore,si dhe moszbatimi i masave agroteknike kane çuar në dëmtime serioze,qoftë në aspektin e sistemeve rrënjore,ashtu edhe të masës vegjetative të këtyre kulturave.
  • Ka mungesë informacioni mbi teknikat e mbrojtjes së bimëve dhe të masave agroteknike si elementë të rëndësishëm për shëndetin e bimëve.

Ai dha edhe disa rekomandime si një mënyrë e mirë për të rritur në mënyrë cilësore prodhimin e arrorëve.

  • Njohja me masat që duhen marrë për kufizimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve në kohën e duhur.
  • Fermerët duhet të informohen në mënyrë të vazhdueshme mbi teknikat e mbrojtjes së bimëve dhe të masave agroteknike,si elementë të rëndësishme për shëndetin e bimëve.
  • Njohja me produktet e mbrojtjes së bimëve, respektimi i dozës si dhe i kufijve kritike të ndërhyrjes,me qëllim për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Fermerët pjesëmarrës në këtë trajnim prej disa kohësh janë të angazhuar me takime, trajnime në kuadër të projektit FoodHub, i cili po gjen zbatim në 6 Njësi Administrative në këtë bashki.

Projekti “Jo Drogë, Pikë Grumbullimi. Një alternativë e qëndrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd” financohet nga Bashkimi Europian dhe po zbatohet nga Bashkia Librazhd dhe World Vision Albania, dhe synon ndërtimin e një Pike Grumbullimi që pritet të zgjidhë përfundimisht çështjen e tregtimit për produktet e tyre, si një nga nevojat më të mëdha të fermerëve të zonës.