Dhjetëra fëmijë, përfaqësues nga fshatrat dhe periferitë e vendit i kërkuan sot ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë më shumë shërbime sociale që ata të ndihen të mbrojtur dhe të përfaqësuar. “Pse nuk keni menduar të merrni mendimin tonë edhe më parë”,- tha Brajani në takimin e organizuar nga World Vision në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Takimi, që u mbajt sot në kryeqytet, për herë të parë, pati si qëllim konsultimin e Agjendës Kombëtare të Fëmijëve për t’i bërë shërbimet sociale miqësore për ta, gjatë 4 viteve të ardhshme.
Fëmijët i dorëzuan ministrit Blendi Klosi dhe Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, një përmbledhje me propozime konkrete se si mund të përmirësohen shërbimet shoqërore, parë me sytë e tyre. Për ta bërë këtë, fëmijët mbërritën nga Lezha, Durrësi, Kurbini, Shkodra, Korça, Elbasani dhe periferia e Tiranës dhe diskutuan rreth 2 orë në prani të institucioneve rreth Agjendës Kombëtare për Fëmijët 2016 – 2020.
“Mendimet tona nuk merren parasysh, veçanërisht nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore sepse na konsiderojnë të vegjël, por ne duam që të përfshihemi në çdo vendim që prek jetën tonë”, – tha njëri prej fëmijëve të pranishëm.
“Të sigurohet strehim falas për të varfrit, të pastrehët. Të ndihmohen me kurim dhe barna falas fëmijët me aftësi të kufizuar, të nxitet arsimi profesional te prindërit që nuk kanë asnjë profesion, policia të jetë miqësore, sidomos me ne, fëmijët”, ishin disa nga pikat për të cilat ata dhanë rekomandime sot. “Ne duam të jemi pjesë e monitorimit të zbatimit të agjendës, sepse kjo na prek drejtëpërsëdrejti”, – tha Brajani.
“Është e vërtetë që ekziston Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve, por ne jo të gjithë e njohim, madje edhe ata që e njohin nuk janë aq të ndërgjegjshëm sa të raportojnë raste dhune tek ajo”, – tha Mikeli nga Shkodra.
Varfëria dhe papunësia e prindërve vazhdojnë të jenë shqetësimet më të mëdha për fëmijët shqiptarë ndaj ata kërkuan përmirësimin e skemës së ndihmës sociale për të mbështetur familjet dhe fëmijët në nevojë.
“Unë jam e bindur që të rriturit sot jo vetëm ju dëgjuan por edhe ju kuptuan dhe do të përpiqen të punojnë fort që t’i përgjigjen nevojave tuaja, që ju të rriteni të lumtur dhe të mbrojtur”, – tha Eljona Elmazi, Drejtoreshë e Programit në World Vision.