“Isha vetëm 3 mujshe shtatzënë kur mjekët na thanë se fëmija që po prisnim të vinte në jetë do të lindte me Sindromën Down. Për mua dhe bashkëshortin u përmbys bota. Nuk e besonim dot. Por, në asnjë moment nuk menduam abortin”, – tha Orsiola, mamja e Aronit 4 vjeçar. Djali ishte fëmija i katërt i familjes pas 3 vajzave dhe ardhja e tij në jetë ishte e shumëpritur. Aroni ka qënë gjithmonë i rrethuar me vëmendje, përkujdes dhe dashuri. Orsiola dhe i shoqi kanë bërë gjithçka kanë mundur që të birit mos t’i mungojë asgjë, shpesh edhe përtej mundësive fizike dhe financiare. Që Aroni të mund të bëjë seancat e terapisë që i nevojiten ai udhëton shpesh bashkë me prindërit në Tiranë, sepse atje ku jeton, në Laç, nuk ka asnjë qendër të specializuar. “Vetëm këtë kërkojmë, një qendër ku t’i çojmë fëmijët dhe ata të marrin kujdes nga specialistët e fushës”, – tha Orsiola.
Ajo rrëfeu sot vetëm një pjesëz të këtyre 4 viteve me Aronin, gjatë një takimi të organizuar në qytetin e Laçit, nga World Vision në bashkëpunim me ambasadën e Izraelit në vend. I pranishëm ishte vetë zëvëndës ambasadori, zoti Yuvale Fischer i cili premtoi mbështetjen për këtë grup fëmijësh me nevoja të veçanta. Ndërkohë, përfaqësues të një organizate jo qeveritare nga Izraeli ndanë përvojën e tyre në edukimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar me përfaqësues të zyrës arsimore dhe punonjës të shërbimit social. “Ne jemi entuziast për bashkëpunimin në projekte konkrete mes Ambasadës së Izraelit, World Vision dhe bashkisë Kurbin”, – tha Drejtori i Arsimit dhe Trajnimit për personat me nevoja të veçanta në Izrael, zoti Michael Arnon, në takimin ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë, zoti Artur Bardhi. “Ne kemi të njëjtin vizion: gjithëpërfshirjen e këtyre fëmijëve”, -shtoi ai.
Vetë fëmijët e pranishëm, plot 50, patën mundësi të kalonin një ditë ndryshe. Enkas për t’i gëzuar, kuzhinieri i ambasadës së Izraelit gatoi për ata. Të rinjtë organizuan lojra dhe luajtën bashkë me ta. Fëmijët patën mundësi të merrnin pjesë edhe në seanca terapie muzikore, që për shumicën e fëmijëve ishte një përvojë e paprovuar më parë. “U kënaqa shumë sot! Ishte një ditë e veçantë për mua, ndryshe nga ditët e tjera”, – tha Bianka, një nga fëmijët pjesëmarrës.