Gjatë vitit 2023, organizata World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë Dibër ka mundësuar ndërtimin e një këndi sportiv komunitar, nga i cili përfitojnë direkt 2043 fëmijë dhe tërinj.
Nevoja për ndërtimin e këndit sportiv ishte artikuluar më herët nga vetë fëmijët, mësuesit dhe prindërit, si një mjet që kontribuon në mirëqenien e komunitetit në tërësi.
Fushat e reja të volejbollit, futbollit dhe basketbollit do të jenë në shërbim të fëmijëve të shkollës, por edhe të rinjve dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit, duke kontribuar kështu në promovimin e sjelljeve dhe qëndrimeve pozitive ndaj sportit, si dhe rritjen e mirëqenies fizike dhe mendore të fëmijëve dhe të rinjve.
Këndi sportiv komunitar është ndërtuar me materiale miqësore ndaj mjedisit, ndërsa investimi është realizuar në kuadër të nismës “Sport4All – Sport për të gjithë” që World Vision Albania zbaton në disa bashki të Shqipërisë.
Vetëm në Dibër, janë 20 shkolla që janë bërë pjesë e nismës “Sport për të gjithë”, ndërsa 5217 fëmijë dhe adoleshentë kanë përfituar nga aktivitetet sportive në volejboll dhe futboll, ku përveç argëtimit kanë dhënë edhe mesazhe ndërgjegjësuese mbi gjithëpërshirjen, rëndësinë e shëndetit mendor dhe barazinë gjinore.
Në inaugurimin e këndit sportiv komunitar ishte e pranishme edhe Zv.Kryeministrja e vendit, Belinda Balluku; Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi; Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, si dhe drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi.