Pas rikthmit nga Gjermania, Fatma kuptoi që puna është jo vetëm një mjet për të mbajtur familjen, por dhe terapi. Punën që ka aktualisht dhe të cilën ajo e dashuron, ia ka gjetur World Vision Shqipëri, falë programit RE-In-VEST që ka si synim t’u japë dorën të rikthyerve nga emigracioni, që të mund të ri-integrohen, të gjejnë veten dhe të mbajnë familjen.
Fatma e ka provuar emigrimin në 2015-n. Jeta saj në Korçë ishte bërë e vështirë. Vajzat po rriteshin dhe dëshira për t’i siguruar atyre një të ardhme më të mirë e bëri Fatmën dhe të shoqin që të merrte rrugët e emigrimit me shpresën për të jetuar në një vend me të mirë.
Kur Fatma mori rrugën e Gjermanisë bashkë me bashkëshortin, vajzat ishin 11 dhe 7 vjeç.
“U nisëm pasi gjendja jonë ekonomike ishte tepër e vështirë. Vajzat po rriteshin dhe asgjë nuk kishim në terezi”, tregon Fatma, duke shtuar se kishin dëgjuar që në Gjermani mund të fitonin të drejtën për të punuar dhe mund të pajiseshin me dokumentacion të rregullt.
“Kur shkuam si fillim na strehuan në një kamp, e më pas na dërguan në një banesë. Qëndruam një vit e gjysmë atje dhe më pas na kthyen. Nuk kishte asnjë mundësi për të bërë dokumentet. Gjatë qëndrimit atje jemi trajtuar shumë mirë, por kjo situatë nuk mund të vazhdonte për shumë gjatë.”
Si edhe për shumë të tjerë, kthimi ishte i vështirë për familjen e Fatmës. Mungesa e punës, stresi i vazhdueshëm, ekonomia e dobët, shkollimi i vajzave, ishin një sërë situatash që nisën t’i demoralizonin ata.
Në këtë pikë Fatma ka kërkuar ndihmë në World Vision Shqipëri dhe është ndihmuar me pako ushqimore, higjienike, medikamente e analiza mjekësore.
“Pakot kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për mua në ato momente. E keni parasysh kur nuk ke asgjë dhe dikush ju sjell ushqimin e përditshëm? Ndjesia ka qenë tepër pozitive dhe e kam vlerësuar çdo ditë të jetës sime atë ndihmë”.
Por këto vështirësi nuk do të dukeshin asgjë, përpara asaj që do të mësonin tre vite pas kthimit nga Gjermania, në vitin 2021.
Bashkëshorti i Fatmës, diagnostikohet më një sëmundje të rëndë.“Përpara dy vitesh kemi bërë vaksinat kundër Covid 19, pasi bashkëshor ti kishte planifikuar të shkonte tek i vëllai në Gjermani dhe pas dy muajve të vaksinës ai ka shfaqur simptomat e kësaj sëmundjeje. Mjekja na ka thënë që sëmundjen e ka patur në trup, por vaksina e ka përshpejtuar shfaqjen e saj” tregon Fatma të cilës i lexohen akoma gjurmët e shokut të kësaj situate.
Por bota e tyre nisi të bëhej më me ngjyra kur World Vision Shqipëri i mundësoi të gjente një punë si ndihmës kuzhiniere tek Bar Restorant “Liceu”. Aty, World Vision Shqipëri i ka siguruar pagesën e rrogës për 6 muaj si dhe një marrëveshje me lokalin për ta mbajtur në punë edhe pas këtij 6-mujori.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar që Fatma është zyrtarisht e punësuar, ajo ka kuptuar se çfarë i mungonte në jetë. Jo thjesht një punë, por një punë që e do aq shumë sa t’i kthehet në terapi shëruese të brengave, përveçse dhe një ndihmë e madhe ekonomike për të dhe familjen e saj.Tashmë ajo është përshtatur në mënyrë të përsosur me stafin dhe kjo ia bën ditën dhe më të bukur.Të mësuar me ankthin se të “këqiave duhet t’u hapësh derën”, Fatma dhe familja e saj tani duhet të mësohen që edhe të mirave, po “t’u hapësh derën” mund të të gjejnë dhe ty. Pasi filloi punë, edhe vajza e madhe shkoi në Gjermani për të studiuar infermieri.
Fatma jeton me bashkëshortin dhe vajzën e vogël, dhe shpresa është rritur që të mirat do vazhdojnë të trokasin në portën e tyre. Ndërkohë, ajo vazhdon punon me tërë pasionin e saj.
“Puna është një terapi shumë e mirë për të dalë nga rutina e halleve të përditshme dhe mua më ka shërbyer shumë. Është e vështirë të gjesh një ambient punë që të mirëpret dhe të mirëkupton. Në këtë biznes që punoj e kam gjetur këtë ngrohtësi dhe jam shumë e kënaqur. Shpresoj të vazhdojë sa më gjatë, pasi kam shumë nevojë për këtë punë, dhe jo vetëm materialisht”, thotë Fatma.