Ëndrrat që falin qetësi

DSC_7385

Në moshën 2 vjeçare, kur çdo fëmijë fillon të thotë fjalët e tij të para, për Alesion, sot 16 vjeç, nuk ndodhi. Prindërit e vunë re dhe të shqetësuar për faktin që djali i tyre nuk fliste, vendosën të konsultoheshin me mjekun specialist. Alesio u diagnostikua me çrregullime të spektrit autik. Për prindërit e djaloshit fjala ‘’autizëm’’ ishte e panjohur, por dalëngadalë ata filluan të merrnin informacionet e para, jo vetëm se çfarë ishte autizmi, por edhe si duhej të vepronin që i biri të përparonte.

I ati Alesios, ka një servis të vogël makinash që është dhe i vetmi burim të ardhurash për familjen. Atij i pëlqen shumë të kalojë ditën në servis, bashkë me të atin ku edhe përpiqet ta ndihmojë me disa ‘punë’ të vogla. Kështu djali angazhohet, mëson gjëra të reja çdo ditë, por edhe nuk rri gjithë ditën brenda mureve të shtëpisë.

‘’Alesio, ka nevojë për kujdes shumë të madh. Që në vogëli jam munduar ta mbaj pranë që të kujdesem por edhe të kaloj më shumë kohë pranë djalit. Shpesh herë ai do që të rrijë tërë ditën në punë me mua, por është e pamundur sepse sëmundja e tij nuk e lejon të qendrojë gjatë me mua apo në shkollë,’’ – shprehet Adriani, i ati Alesios.

Si pasojë e pandemisë globale, problemet ekonomike u thelluan për familjen e Alesios. E ndërkohë bashkë me rritjen e djalit, rriteshin edhe kërkesat e tij. Ai donte të kishte veglat e tij personale në servis, si një profesionist i vërtetë, por prindërit nuk ia kishin siguruar dot deri më tani. Alesio, tani ka setin e tij të veglave të punës të cilat iu mundësuan përmes mbështetjes së projektit “Përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj COVID-19 për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre në Shqipëri” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga World Vision Albania Familja e Alesios, është një nga 700 familjet në Shqipëri, që ky projekt ka ndihmuar për përmirësimin e shërbimeve të integruara për fëmijët me aftësi të kufizuara, por edhe për të ndihmuar në tejkalimin e vështirësive të thelluara të familjeve, veçanërisht pas pandemisë COVID-19.