Edukimi ka fuqinë për të ndryshuar jetë

2

Besoj që të rinjtë e grupeve IMPACT janë me të vërtetë agjentë ndryshimi në komunitetet ku jetojnë. Ata ndryshojnë shumë nga nxënësit e tjerë, për shkak të njohurive shtesë që kanë fituar. Pika e tyre më e fortë është komunikimi dhe aftësia për të gjetur zgjidhje për sfidat që hasin në familje, shkollë, apo komunitet,”- thotë Ana, mësuese në Durrës dhe drejtuese e një prej grupeve IMPACT në qytetin bregdetar.

Punën me fëmijët dhe adoleshentët, mësuesja e gjuhës angleze e quan privilegjin e jetës së saj. Kjo pasi, duke ndarë njohuritë me nxënësit, Ana ndikon në formimin e tyre  jo vetëm në rrafshin intelektual, por edhe në atë profesional.

“Gjithmonë kam dashur që kontributin tek brezi i ri ta shtrij përtej orës së mësimit. E prita më shumë emocion ftesën e World Vision Albania për t’u bërë pjesë e strukturës që trajnon liderët e rinj të grupit IMPACT,”- thotë Ana, teksa kujton fillimet e angazhimit të saj me IMPACT Club.

Janë dhjetëra nisma me fokus aktivizmin rinor, gjithëpërfshirjen, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore që janë ndërmarrë nga të rinjtë e grupeve IMPACT, duke sjellë ndikim pozitiv në shkollë dhe komunitet.

“Fushata antitrafikim ishte fushata më e bukur sepse arritëm të mobilizojmë gjithë aktorët; fëmijët, institucionet dhe prindërit. Përmes këtyre nismave kemi arritur të sensibilizojmë nxënësit, shkollën, komunitetin për çështje të ndryshme. Një prej çështjeve që kemi trajtuar është edhe bullizmi, ku shihet një reduktim i ndjeshëm i këtij fenomeni. Ka shumë nxënës që më kërkojnë që ti bëj pjesë të grupit IMPACT. I tërheqin shumë aktivitetet që bëjmë, nismat që ndërmarrim, impakti që kemi,”- thotë Ana, e cila është edhe studiuese dhe pjesëmarrësë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare. Kërkimet e saj shkencore janë fokusuar kryesisht në fushën e edukimit dhe ndikimin që ka gjuha  e huaj në globalizim, tregun e punës dhe teknologji. Krahas zbatimit të programit mësimor, këto njohuri ajo përpiqet që t’i transmetojë edhe tek nxënësit e saj.

Përveç ndikimit që ka patur tek të rinjtë e grupeve IMPACT, Ana thotë se kjo eksperience e ka ndryshuar edhe atë personalisht.

Përveçse kam aftësuar nxënësit, jam aftësuar edhe vetë. Më pëlqen puna vullnetare. Njeriu nuk duhet të punojë vetëm për para. Vullnetarizmi të përmbush shpirtërisht, pasi ndjen kënaqësi kur sheh që angazhimi yt sjell përfitime tek të tjerët. Kjo më motivon dhe më jep kurajo për të ecur përpara,” – thotë mësuesja nga Durrësi.

Ana beson se edukimi ka fuqinë për të ndryshuar jetë. Kjo sipas saj arrihet vetëm kur të gjithë aktorët bashkëpunojnë për të krijuar mundësi që të gjithë fëmijët të shprehin potencialin e tyre dhe të jetojnë jetën në plotësi.

“Përmes këtyre trajnimeve, World Vision iu ka dhënë fëmijëve dhe adoleshentëve aftësi, sjellje dhe qëndrime të nevojshme për të dhënë kontributin e tyre në jetën sociale, civile dhe ekonomike të vendit. Këto trajnime janë një risi, pasi fëmijët jo vetëm fitojnë aftësi të reja dhe fuqizohen, por edhe motivohen dhe mbajnë qëndrime pozitive,”-shprehet Ana.

Moduli IMPACT i aftëson fëmijët dhe adoleshentët të sjellin ndryshim pozitiv në komunitetet ku jetojnë.  Përmes këtij moduli, të rinjtë përfshihen në aktivitete të ndryshme duke rritur aftësitë vendimmarrëse; vetë-efikasitetin; aftësitë për tregun e punës dhe aftësitë drejtuese që ata të jenë anëtarë aktivë në komunitetet e tyre.

Dëshira ime më e madhe është që të rinjtë të fuqizohen dhe të kene mundësi të ndjekin rrugën e suksesit dhe karrierës. Potenciali i tyre është i jashtëzakonshëm. Unë jam gati që të jap gjithë njohuritë dhe kohën që kam në dispozicion, në mënyrë që ata të mund përparojnë në jetë,”- e mbyll mesazhin e saj mësuese Ana.

World Vision Albania punon me 200 të rinj në Durrës duke i ndihmuar të ndërtojnë aftësi, kompetenca dhe të fuqizohen për përfshirje aktive në jetën sociale dhe ekonomike në komunitetet ku jetojnë.