Megi, ishte vetëm 3 vjeçe kur humbi mamanë. Mbeti pa dashurinë e saj të madhe dhe kujdesin e saj të veçantë. Kur ishte 9 vjeçe e vogla u diagnostikua me diabet, një sëmundje që siç thotë ajo nuk do t’i ndahet gjithë jetës. Sot është 13 vjeçe dhe duket se ka mësuar të jetojë bashkë me të.
Pavarësisht shqetësimeve shëndetësore, ajo shkon rregullisht në shkollë dhe gjithmonë e përgatitur. “Ne të gjithë e duam, sepse ajo është shumë e sjellshme, e edukuar dhe e qeshur”- tregon Andi, shoku i saj i shkollës.
Përveç shkollës, Megi pëlqen shumë edhe të pikturojë. Madje, pikturën e ka “pikë të dobët”. “Kur pikturoj ndihem shumë mirë. Nuk kam as stres dhe mjeku më ka thënë që kur nuk kam stres më ulet edhe niveli i sheqerit”, – thotë ajo.
Mësuesi i saj tregon se Megi ka shumë talent në të pikturuar. Pikturat e saj kanë mbushur muret e shkollës ku ajo mëson, dhe dje u ekspozuan në ekspozitën e parë të realizuar me pikturat e saj falë bashkëpunimit të shkollës dhe World Vision. Me dhjetra nxënës, prindër dhe profesionistë të edukimit morën pjesë. Disa nga pikturat edhe u blenë nga pjesëmarrësit. Pikturave të Megit iu gëzuan të gjithë, ndërsa ajo vetë iu gëzua pa masë mbështetjes dhe dashurisë që mori.
“Megi ka një forcë të jashtëzakonshme dhe është shumë luftarake. Kur unë e njoha në fillim, ajo pikturonte shumë, por vetëm me ngjyra të ftohta, me të zezën, të bardhën dhe grinë. Ndërsa ajo sot pikturon plot ngjyra dhe jetë. Përdor të kuqen që është ngjyra e shpresës, e dashurisë përjetën dhe forcës për të jetuar. Kjo na bën të lumtur të gjithëve!”- tregon Elvisi, mësuesi i saj.
Drejtori i DAR Korçë, zoti Kristaq Grabocka tha: Arsimin e bëjnë edhe këto aktivitete të bukura që na tregojnë se talentet duhen promovuar edhe në komunitet përveçse në shkollë, sepse shkolla është e komunitetit.
*Megi nuk është emri i saj i vërtetë.