Kontributi i shoqërisë civile në progresin e Ballkanit Perëndimor, në rrugën e anëtarësimit në BE, është kryefjala e konferencës që nisi dje në Sofje. Ajo zhvillohet në prag të samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, dhe organizohet nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian ( EESC) dhe Instrumenti i Komisionit Europian për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim të Informacionit (TAIEX), nën kujdesin e Presidencës bullgare të Këshillit Europian. Përfaqësues nga shoqëria civile e BE dhe BP, sindikatat, institucionet e BE, diplomatë, zyrtarë të lartë të Bullgarisë do të diskutojnë për situatën aktuale në rajon. Rrugët për integrimin ekonomik, kohezionin social, dhe konektivitetin mes rajonit dhe me BE, të drejtat e grupeve vulnerable, barazia gjinore si parakushte për perspektivën europiane, janë temat qëndrore të konferencës së sotme.