“Dua t’ju jap atyre çka nuk pata vetë”

13130876_534057130132001_254040969985850783_ofdgbfhg

Ish-nxënësja e shkollës së mesme profesionale në Peshkopi, është rikthyer edhe njëherë në shkollë por tani, si mësuese. Pas përfundimit të studimeve të larta në degën e ekonomikut, Linda  është  kthyer në qytetin e lindjes ku i është dhënë mundësia të ushtrojë profesionin e mësueses.

Për mësuesen e re 26- vjeçare shprehja e vjetër se mësuesi është një prind i dytë ka shumë vlerë. Dhe në zonën e saj të gjithë e duan dhe e vlerësojnë për punën dhe përkushtimin që ka.

Në të njëjtat banga ku sot ulen nxënësit e saj, dikur ka qenë e ulur vet. “Më ka munguar një mësues që të kalonte kohë me ne edhe përtej orës së tij së mësimit, një mësues që përveç asaj që ka libri të na mësonte të jemi qytetarë të mirë”, – thotë Linda.

Gjithçka që 26- vjeçarja do të donte të kishte në vitet e saj të fëmijërisë sot nuk i kursen për nxënësit e saj, që ajo i quan miq.

“Mua më është besuar të jem mësuesja e dhjetra fëmijëve dhe unë do t’i mbështes çdo ditë të jetës sime. Ëndrrat fillojnë me një person i cili beson në ty dhe për nxënësit e mi ky person dua të jem unë”, – thotë mësuese Linda.

Që prej më shumë se një viti ajo po drejton grupin e quajtur “The caretaker”, me 16 të rinj. Ata kanë ndërgjegjësuar banorët e komunitetit për ta mbajtur pastër atë si dhe kanë vendosur kosha mbeturinash në disa rrugë të qytetit.

“Jam e  lumtur që shoh se si përfshirja e tyre në grup i ka bërë të jenë me aktiv në klasë, më miqësor dhe më të guximshëm për të ngritur zërin e për të ndryshuar për mirë komunitetin e tyre. S’ka gjë më të bukur dhe motivuese të shikosh që nga frytet e punës përfiton një komunitet i tërë” – tregon Linda.

Mësuesja nga Dibra, beson se çdo mësues ka në dorë edukimin e një brezi që nëse mbështeten mund të ecin përpara. Ajo vetë i ka kushtuar jetën edukimit të brezave pasardhës dhe krahas dijes është e vendosur t’ju japë atyre shumë dashuri. Mësueset si ajo nuk dinë të bëjnë gjë tjetër…