Dora e shtrirë tek ëndrra

271840616_1715476628627476_8801955026146077947_n

Anxhelon të gjithë e thërrasin Engjëll. 12-vjeçari dibran shkon në klasën e tretë. Mësuesit e tij thonë se ai është fëmija i vetëm rom që ndjek shkollën në zonën ku jeton.

Këmbëngulja e mamasë së tij dhe ndihma e njerëzve bujarë e kanë mbajtur vogëlushin larg nga rruga, duke e orientuar drejt dijes. Ka qenë sakrifica e pa kursyer e Dafinës, e cila nuk ka lënë derë pa trokitur për t’u siguruar që djali i saj t’iu shtrijë dorën ëndrrave dhe jo lëmoshës.

Ata jetojnë bashkë me njerkun në një tendë të rregulluar si banesë. Mbulesa plastike, e sistemuar brenda me divane dhe tapet strehon vogëlushin, familjen e tij dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen.

Pavarësisht se vetë nuk ka patur mundësi ta ndjekë shkollën, Dafina e kupton rëndësinë e arsimimit. As të ardhurat minimale të jetesës nuk e kanë penguar që ta orientojë Anxhelon të vazhdojë rrugën e dijes.

“Nuk dua që djali im të lypë! Dua që Anxhelo të mos ketë jetën që unë kam dhe të mos vuajë ashtu siç kam vuajtur unë. Unë s’kam fare shkollë, por shkolla është e vetmja mënyrë që djali im të mos përjetojë ato që unë kam përjetuar gjatë gjithë jetës. Kam kërkuar ndihmë kudo dhe organizata World Vision gjithmonë ka qenë dera ime e vetme ku jam përplasur për çdo rast. Gjithmonë kam gjetur zgjidhje aty,” – shprehet Dafina.

Vitin e kaluar, Anxhelo nuk e mbylli dot vitin shkollor. Ai u detyrua të ndërpriste klasën e tretë, pasi për arsye familjare u zhvendos nga Dibra në një qytet tjetër të Shqipërisë bashkë me familjen. Ai mori edhe fletë-shpërnguljen nga shkolla, por pa bërë regjistrim në një shkollë tjetër në qytetin ku u zhvendos.

Pak më vonë familja vendosi të rikthehej përsëri në Dibër, por kur u kthyen u përballën me një ngjarje të pakëndshme. Tenda që lanë pas kur ikën ishte djegur nga banorët e tjerë të lagjes. Dafinës dhe bashkëshortit të saj iu duhej që të shqetësoheshin njëkohësisht për ngritjen e tendës dhe për shkollën e djalit.

Pas rikthimit në Dibër, viti i ri shkollor që sapo kishte nisur nuk e gjeti Anxhelon në bankat e shkollës. Për shkak të mungesës së informacionit dhe procedurave, Dafina mendonte që shkolla nuk donte ta pranonte më Anxhelon si nxënës.

“Mua më thonë, pa një letër nga shkolla që Engjëlli ka ndjekur në qytetin tjetër, nuk regjistrohet. Unë s’di çfarë të bëj!” – shprehej e shqetësuar Dafina sa herë që e takonim. 

World Vision kontaktoi mësuesin e mëparshëm të Anxhelos dhe mori gjithë informacionin e nevojshëm për të sqaruar mamanë se ku qëndronte problemi dhe çfarë duhej të bënte ajo. Pa humbur kohë, të nesërmen në mëngjes ajo niset drejt shkollës për regjistrimin e djalit.

Tashmë ai vazhdon të ndjekë rregullisht mësimin. Shokët dhe shoqet e reja e kanë pritur ngrohtë, duke i liruar edhe bankën e parë.

Vetë Anxhelo thotë se i pëlqen shumë shkolla, ndërsa i ka të qarta edhe synimet për të ardhmen.

Kur të rritet, ai dëshiron që të bëhet polic. Dhe kauza e tij është mjaft fisnike, ai synon që të mbrojë fëmijët dhe të rriturit nga rreziqet. I pëlqen shumë matematika, por për shkak se ka vështirësi në të nxënë, shokët dhe shoqet e ndihmojnë për t’i shpjeguar jashtë mësimit se si zgjidhen problemat. Mësuesja e re e përgëzon vazhdimisht për progresin që ai bën hap pas hapi dhe kjo e bën djaloshin të ndjehet mirë dhe i barabartë brenda klasës.

Teksa premton se nuk do ta zhgënjejë mamanë e tij, Anxhelo duket se i ka kuptuar këshillat dhe sakrificat e saj mbi rëndësinë e shkollës.

“Mami më thotë çdo natë që shkolla është shumë e rëndësishme dhe të kërkosh lëmoshë nga të tjerët nuk është mirë. Takova shokë dhe shoqe të reja tek klasa ime. Do përpiqem shumë që të mos e zhgënjej mamin tim që bën shumë sakrifica për të më bërë një njeri të mirë,”- thotë Anxhelo.

Është këmbëngulja, sakrifica dhe besimi i Dafinës që Anxhelo po ndjek sot një rrugë premtuese për të ardhmen e tij. Një grua e fortë, nga shembulli i së cilës çdokush mund të mësojë për forcën dhe shpresën që duhet të kemi në jetë, për besimin që situata ku jemi nuk duhet të na kushtëzojë se ku do të arrijmë nesër. Ajo vuan nga probleme të shëndetit mendor, gjë për të cilën dhe po kurohet, por zemra e saj ka qenë gjithnjë e shëndoshë për të kuptuar se arsimimi është mënyra e vetme për të dalë nga problemet.

*Familja e Anxhelos dhe Dafinës ndër vite është mbështetur nga World Vision Albania për të kapërcyer situatën e vështirë socio-ekonomike në të cilën jetojnë. Vazhdimisht janë mbështetur me paketa ushqimore, sete higjienike, rroba, ilaçe dhe sete shkollore. Anxhelo ka vështirësi në të nxënë dhe viziton shpesh Hapësirën Zhvillimore të shkollës së tij. Ai është mbështetur me materiale didaktike, kancelarike dhe tabletë për të ndjekur mësimin online. Së fundi, familja e tyre është mbështetur më materiale për ngritjen e tendës.