Valentina jeton me djalin e sëmurë dhe vajzën në një hapësirë 2 m2, në oborrin e shtëpisë së babait në Dibër. U martua kur ishte 19-vjeç, por jeta i solli jo pak pengesa që duhet t’i përballojë e vetme. “Kam një fëmijë të sëmurë 9-vjeç. Ndër vite, e nga njëri mjek te tjetri i janë përcaktuar diagnoza të ndryshme. Djali nuk lëvizte fare, ishte si të kishe një dru, ashtu siç e lije, po ashtu e gjeje. Më pikonte zemra!
Por fëmijën ma dha Zoti e unë nuk e hedh poshtë!
Kur mora vesh që e kisha të sëmurë thosha si do e përballoj. Rrija me shpresë se Zoti do më ndihmonte që Femiu të ngrihej e të shërohej.
Sot falë ndihmës dhe mbështetjes së World Vision për të bërë vizita e kontrolle të vazhdueshme, ndryshimi është i dukshëm. Me anë të fizioterapisë që bën ka filluar të lëvizë duart, këmbët…është gati për të ecur, por ende nuk është ngritur në këmbë. Kupton çdo gjë, shpeshherë gjatë ditës kërkon të më përqafojë, e pavarësisht se nuk mundet të shqiptojë mirë fjalët, unw kam filluar ta kuptoj kur kërkon të hajë, të pijë ujë e të thërrasë të motrën.
Unë i jam përkushtuar e kam qenë e palodhur për këto 2 fëmijë. Vajza nuk ka asnjë cen, kupton në çfarë gjendje jemi e përpiqet të më ndihmojë se unë jam 24 orë në shërbim të tyre, e veçanërisht të djalit që ka edhe më shumë nevojë. Por betohem se ditën që djali do ngrihet në këmbë do harroj çdo vuajtje e sakrificë. Atë ditë e gjithë Shqipëria do të jetë e imja!” – tregon Valentina duke mbajtur nga krahët djalin që dalëngadalë përpiqet të hedhë gjysmëhapat njëri pas tjetrit.