Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve

Sot, në ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, ambasadorja e BE-së, përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, kryetari i Bashkisë Peshkopi, zoti Muharrem Rama se bashku me Drejtorin Kombëtar të World Vision iu premtuan fëmijëve në Dibër se do i ndihmojnë për t’iu ndryshuar jetën. Ambasadorja Romana Vlahutin, Brian J. Williams dhe Toni Gogu dëgjuan disa nga problemet që fëmijët mes moshës 10 deri në 18 vjeç përballen çdo ditë në një nga zonat më të varfra të Shqipërisë. Fëmijët thanë se ngacmimet, puna e fëmijëve dhe martesat e hershme janë të zakonshme në shoqërinë e tyre. Ata gjithashtu theksuan diskriminimin dhe dhunën ndaj vajzave si një problem të veçantë. Përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, Brian Williams tha se vuri re një ndjenjë të madhe guximi nga të rinjtë. Ai e përshkroi prezantimin si mbresëlënës dhe frymëzues. Mes të tjerash theksoi: “Kjo gjë na kujton se duhet të punojmë së bashku për t’iu dhënë atyre mbështetje.

“Ambasadorja Vlahutin u zotua se BE-ja do të vazhdojë të punojë për t’iu krijuar një ambient të favorshëm për ndryshim. Në vijim tha se ndryshimi nuk vjen vetëm nga jashtë, por vjen nga brenda. Ajo u kërkoi fëmijëve të përpiqen për të ndryshuar, e pastaj të përpiqen sërish, edhe më shumë. Në veçanti dënoi diskriminimin dhe dhunën ndaj vajzave, gjë për të cilën folën fëmijët.

World Vision ka punuar me fëmijët në Dibër që prej 2008-ës dhe Drejtori Kombëtar i organizatës, Toni Gogu premtoi se ata do të vazhdonin të ndihmonin fëmijët në të gjithë vendin për të gjetur zërin e tyre. Ai tha se vetëm kështu do të mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e shoqërisë. “Ne po punojmë që sistemi mbrojtës i fëmijëve të funksionojë dhe të ndëshkohen ata që dhunojnë fëmijët. Shkolla duhet të jetë zemra e komuniteteve! Ne do të vazhdojmë punën me fuqizimin e të rinjve si qytetarë aktiv për të sjellë ndryshimin social dhe sipërmarrje sociale, ” – tha drejtori kombëtar i World Vision në Shqipëri.