Një bashkëpunim për më shumë mundësi, shërbime dhe fuqizim
Në Ditën e Evropës, World Vision Albania shpreh mirënjohjen për partneritetin me Bashkimin Evropian në Shqipëri, i cili po sjell më shumë mundësi, më shumë shërbime, më shumë punësim dhe më shumë fuqizim për fëmijët, të rinjtë, gratë dhe komunitetet, veçanarisht ata më në nevojë.
Ky partneritet dhe bashkëpunim i qëndrueshëm reflekton një angazhim të përbashkët për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë, në përputhje me vlerat evropiane të dinjitetit, barazisë dhe solidaritetit.
Partneritet për ndryshim të qëndrueshëm
Përmes partneritetit me Bashkimin Evropian, World Vision Albania po kontribuon në forcimin e sistemeve sociale, fuqizimin e grave dhe vajzave, si dhe në rritjen e mundësive për punësim për të rinjtë dhe personat e papunë.
Këto ndërhyrje synojnë jo vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës, por edhe ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për komunitetet në Shqipëri dhe më gjerë.

Shërbime sociale më të forta përmes EU4SocialCare
Programi EU4SocialCare, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga World Vision Albania dhe UNICEF, po mbështet 14 bashki në Shqipëri për të forcuar dhe zgjeruar shërbimet e kujdesit social.
Ky program synon të rrisë kapacitetet e profesionistëve dhe të garantojë akses në shërbime cilësore dhe dinjitoze për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi social më gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet e BE-së.

Fuqizimi i grave dhe vajzave përmes Rise Her
Projekti “Rise Her”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga World Vision Albania në partneritet me organizata lokale, po adreson dhunën me bazë gjinore dhe po fuqizon vajzat dhe gratë drejt një jetese më të pavarur.
Përmes këtij projekti, po ndërtohen mekanizma të qëndrueshëm mbështetjeje dhe mbrojtjeje, duke krijuar komunitete më të sigurta dhe më mbështetëse për gratë dhe vajzat.

Më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim
Përmes projektit për nxitjen e punësimit të denjë për të rinjtë dhe personat e papunë në zonën ndërkufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi, të rinjtë dhe gratë po pajisen me aftësi profesionale, mundësi për punësim dhe vetëpunësim, si dhe besim për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.
Ky projekt kontribuon në zhvillimin ekonomik lokal dhe në fuqizimin e kapitalit njerëzor, veçanërisht në zonat ndërkufitare.

Një Evropë më e fortë fillon nga komunitetet
Partneritetet e forta dhe strategjike janë çelësi për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse ku askush nuk mbetet pas.
Në World Vision Albania, ne besojmë se çdo fëmijë meriton të rritet në një shoqëri ku respektohen të drejtat, ku dëgjohet zëri i tij dhe ku ka mundësi të barabarta për të arritur potencialin e plotë.
Një Evropë më e fortë fillon me komunitete të fuqizuara dhe me fëmijë e të rinj që besojnë dhe investojnë në të ardhmen e tyre.
Alfons Çupaj – PR and Communications, World Vision Albania