Në Ditën e Evropës, organizata World Vision Albania ju bashkua aktiviteteve të organizuara nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë për të festuar dhe promovuar gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut.
Në Panairin e BE-së, qytetarë të shumtë u prezantuan me projektet e financuara nga Bashkimi Evropian që World Vision Albania zbaton aktualisht në disa bashki të vendit, ndërsa të rinj përfitues të këtyre projekteve patën mundësi të bashkëbisedonin me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Qytetarët u njohën me ndërhyrjet dhe rezultatet e:
“Fuqizojmë vajzat për një jetësë të pavarur”, projekt i cili sapo ka nisur të zbatohet në 7 bashki të Qarkut të Elbasanit;
“Qendër Komunitare për Shërbime ndaj Aftësisë së Kufizuar”, projekt i cili zbatohet në Bashkinë Prrenjas dhe ofron shërbime të integruara për 68 fëmijë/të rinj me aftësi të kufizuara;
“Jo Drogë! Pikë Grumbullimi! Një alternativë e qëndrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd”, projekt i cili ka mbështetur 360 fermëre, 20 të rinj dhe ka mundësuar ngritjen e një Pike Grumbullimi që do të shërbejë për grumbullimin, magazinimin, promovimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale që kultivohen në këtë bashki.
Këto projekte u prezantuan gjithashtu nga Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi në EU Fair On Air në një bashkëbisedim me moderatorin e njohur, Blendi Salaj.
Bashkë me Unicef Albania sollëm pranë publikut edhe punën që do të kryhet nga programi “BE për Kujdesin Social”, i cili do të përmirësojë shërbimet e kujdesit social në 14 bashki të Shqipërisë. Ky program financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNICEF dhe World Vision Albania, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.