Në Ditën Botërore të Riciklimit, Qyteza e Fëmijëve në Korçë organizoi një aktivitet të veçantë me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e riciklimit.
24 fëmijë të kursit Art & Craft, nën kujdesin e instruktore Brunilda Zguro përgatiten me dashuri veshje shumëngjyrëshe me materiale të riciklueshme, duke u bërë pjesë e konkursit “Miss dhe Mister Riciklimi”. Imagjinata dhe dashuria për natyrën u bashkuan për të krijuar veshje unike nga materiale të ricikluara.
Ky aktivitet ishte një mundësi fantastike për të nxitur imagjinatën dhe për të zhvilluar aftësitë artistike të fëmijëve, të cilët krijuan veshje të veçanta dhe të bukura, që pasqyronin jo vetëm kreativitetin e tyre, por edhe ndihmonin në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e riciklimit.
Një mesazh i fortë kujdesi për natyrën që na tregon se çdo gjë mund të marrë jetë me pak kreativitet dhe dashuri për mjedisin.
Qyteza e Fëmijëve është një hapësirë unike në Shqipëri, e cila ofron programe të larmishme shkencore, artistike, sportive dhe kulturore, që mbështesin zhvillimin intelektual, social, emocional dhe fizik të fëmijëve dhe të rinjve.
World Vision Albania është në partneritet me Bashkinë Korçë për menaxhimin e aspektit programatikt të Qytezës së Fëmijëve.
Mesatarisht, çdo ditë rreth 250 fëmijë (jo unikë) frekuentojnë programet dhe kurset e Qytezës, ku argëtohen, fitojnë aftësi dhe krijojnë miqësi të reja.
Programe që zhvillohen:
- “Eksperimente shkencore”;
- “Kopshti im në Qytezë”;
- “Labirinti ekspres” dhe “Labirinti flet anglisht”;
- “Koha për stretching”
- “Lojëra tavoline”
- “Stacioni i të vegjëlve”
Kurse që zhvillohen;
- Volejboll dhe basketboll
- Pikturë, vizatim dhe craft
- Piano, këngë, kitarë, violinë
- Kërcim
E gjeni të hapur nga e Hëna në të Premte në orarin: 08:00-20:00 dhe të Shtunën në orarin: 09:00-14:00.






