Dhurata që i riktheu buzëqeshjen Lianës

172f12c4-137a-4273-a7c0-fc6a28ea2d47

Liana i do shumë librat, e do shumë shkollën dhe i pëlqen shumë të mësojë. Dëshirën e saj për t’u arsimuar nuk e kanë zbehur as vështirësitë që ajo ka me dëgjimin dhe të nxënin. Problemi i saj me dëgjimin ka qenë një shqetësim i hershëm i Lianës dhe prindërve të saj, por vetëm përpara se ajo të fillonte gjimnazin ajo iu nënshtrua disa vizitave mjekësore të cilat vërtetuan dyshimet e prindërve dhe ngritën edhe më shumë alarmin për gjendjen e saj me dëgjimin. Por sërish, prindërit e 17 vjeçares ndiheshin të pafuqishëm për ta ndihmuar vajzën e tyre pasi kanë shumë probleme ekonomike dhe sigurojnë shumë pak të ardhura për familjen.

“Liana ka vite që ka shfaqur probleme me dëgjimin, por ne si një familje me probleme shumë të mëdha ekonomike ku i vetmi që punon është bashkëshorti që prej shumë vitesh është emigrant jashtë shtetit e kemi patur shumë të vështirë që të shkonim dhe ta kontrollonim. Kështu ditët, vitet kalonin dhe së bashku me to ndryshonte dhe sjellja e vajzës ndaj shokëve dhe shoqeve, mësuesve dhe me që jemi familja saj. Kur erdhi koha që Liana të regjistrohej në gjimnaz na u desh që ti bënim disa vizita dhe ndër to ishte edhe vizita për dëgjimin. Aty vërtetuam atë që e kishim kuptuar por që në një formë apo në një tjetër nuk kishim dashur ta besonim për shkak të problemeve dhe pamundësive ekonomike. Edhe pse e kuptuam dhe vërtetuam këtë problem që kishte vajza jonë ne nuk kishim mundësi që t’ja siguronim aparatin e dëgjimit që ishim interesuar dhe kishim mësuar se kushtonte shumë,”- shprehet mamaja e Lianës.

Ajo na tregon se Liana është një vajzë e fortë dhe pavarësisht vështirësive me dëgjimin ajo kurrë nuk është dorëzuar, nuk ka munguar asnjë ditë në shkollë dhe vijon të ketë dëshirë shumë të madhe për të mësuar dhe për të ndjekur endrrën e saj të madhe për t’u shkolluar si të gjithë bashkëmoshatarët e saj.

Problemi i Lianës nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga shokët, shoqet dhe stafi pedagogjik në shkollën ku ajo meson ndaj shqetësimin e saj vendosi ta referoj senatorja e klasës në një takim që qeveria e nxënësve zhvilloi me 31 senatorët e shkollës me dëshirën e mire për të gjetur një zgjidhje për shoqen e tyre.

Në bashkëpunim edhe me psikologen e shkollës ata vendosën që të kontaktojnë grupin “Impact” me të rinjtë aktivë në shkollë të cilët prej vitesh me mbështetjen e World Vision kanë ngritur zërin për kauza të ndryshime në komunitetin që i rrethon.

16 të rinjtë e grupit “Impact” dhe qeveria e nxënësve vendosën të sigurojnë një kuti dhurimi dhe përfaqësuesit e dy grupeve u kujdesën që për një muaj të mblidhnin të ardhura të mjaftueshme për të ndihmuar Lianën.  

Nisma frymëzuese dhe shpresëdhënëse e ndërmarrë nga të rinjtë u përqafua dhe nga stafi pedagogjik i shkollës. Për një muaj nisma mori përmasa të mëdha dhe frytdhënëse pasi grupet arritën të mblidhnin një shumë të konsiderueshme parash që mundësoi blerjen e aparateve të dëgjimit për Lianën.

Sot Liana është e lumtur që arrin të dëgjoj cdo tingull dhe që ëndrra e saj më e madhe iu realizua.

 “Jam pafundësisht mirënjohëse World Vision dhe shokëve të mi të shkollës që besuan dhe më ndihmuan që t’i bëj ballë problemit tim duke e zgjidhur dhe jo duke iu nënshtruar fatit”- shprehet me mirënjohje Liana.