Emanueli jeton në një fshat pranë Vlorës, ku të joshen sytë me tokat e mbjella me ullinj dhe portokalle. Në pamje të parë, mrekullia e peizazhit fsheh mungesën e njerëzve. Emigrimi e ka prekur masivisht edhe këtë zonë, dhe shumë prej tyre mund të mos kthehen më. Emanueli është një prej tyre, që ka provuar, si shumë të tjerë rrugën për në Gjermani.
Tashmë, ai i ka idetë e qarta. Por, nuk ka qenë kështu më parë. Tashmë i rikthyer, ai është pjesë e mbështetjes nga World Vision Shqipëri dhe programit RE-IN-VEST të mundësuar nga GIZ dhe qeveria gjermane për të riardhurit nga emigracioni. Nga World Vision Shqipëri, Emanueli përveç trajnimit ka marrë dhe mbështetje financiare për idenë e tij të biznesit.
“Përpara vitit 2018, ishte një periudhë kur po iknin të gjithë, gjithçka më dukej e pashpresë. Nuk kisha asnjë ide me se të merresha dhe të rrisja të ardhurat e familjes, edhe pse jetoja në fshat. Ndaj, vendosa edhe unë të iki në Gjermani, edhe pse me kokën pas, pasi kisha lënë këtu familjen time,”- tregon Emanueli, babai 43 vjeçar i tre vajzave 13, 9 dhe 2 vjeç.
Emanueli na tregon se ka qëndruar atje për pesë muaj me radhë, por pa ndonjë rezultat dhe shpresë në bërjen e dokumenteve. Shumë shpejt e lajmëruan se duhet të kthehej pasi mundësia për të marrë leje qëndrimi ishte zero.
Emanueli detyrohet të kthehet, nën presionin për të kuptuar se çfarë mund e duhet të bëjë që edhe të jetë pranë familjes, por edhe të sigurojë të ardhura të mira ekonomike.
“Përpara se të ikja në Gjermani kam provuar të rris zogj. Në fillim mora 1 mijë të tillë dhe kisha edhe një stallë. Por me kalimin e kohës e pashë që nuk kishte interes për to dhe ishin pa leverdi, kështu që me kthimin nga Gjermania ndryshova.
Mësova se një i njohuri jonë solli nga Zvicra dhi race.Vendosëm me babain të merrnim disa të tilla, me saktë, 22 krerë,” – tregon Emanueli.
Ky ishte një investim i bërë nga vetë Emanueli, me një guxim dhe shpresë se kishte goditur në shenjë dhe investimi do i kthehej mbrapsht.
Gjithçka po shkonte mirë, por stalla ku ai i mbante këto bagëti ishte e vogël. Lindi nevoja e një shtese, pasi dhitë ishin ngushtë dhe vrisnin njëra tjetrën në atë hapësirë të vogël. Dukej sikur dhe ky projekt tjetër do të shkonte dëm. Por, për Emanuelin (dhe për dhitë zvicerane), ndihma erdhi në kohën e duhur. World Vision Shqipëri që ka marrë përsipër të ndihmojë familjet e kthyera në këtë bashki, i gjendet pranë.
“Nga Njësia Administrative mësova programin RE-IN-VEST nga World Vision Shqipëri. U interesova dhe sipas kritereve të përcaktuara, të rikthyerit nga Gjermania, ata që gjykoheshin që kishin potencial për të qëndruar dhe punuar u jepej mundësia për disa mini-grante, vlera e të cilave në atë kohë ishte 1 milion e 500 mijë lekë të vjetra. Më pas bëra një trajnim për të kuptuar dhe vlerësuar ndërtimin e një ndërmarrjeje të vogël. Në këtë kurs tre ditor, përfitova disa aftësi teknike që nuk i kisha pasur, madje as i kisha menduar,” – tregon Emanueli.
“Mora grantin e parë, prej 1500 eurosh dhe ndërtova një shtesë në stallë. Kjo më ndihmoi shumë dhe më bëri që të blej edhe 20 krerë dhi të tjera. Me këtë sasi ndihemi mirë, por duam të rritemi edhe më”.
Dhitë që Emanueli mban, sigurisht me ndihmën e të atit, i cili luan një rol kryesor në kullotjen dhe ushqimin e tyre, përdoren me tepër për prodhimin e qumështit e më pas të nënprodukteve të tij. Me qumështin e dhisë ata bëjnë djathë dhe e shesin në lokalet e zonës ku djathi i tyre ka filluar të bëjë emër. Janë jo vetëm të kënaqur, por edhe krenarë, pasi për djathin kanë gjithmonë porosi dhe nuk ka ndodhur asnjëherë të mos u shitet.
Emanueli ka përfituar dy herë ndihmë të ofruar nga World Vision Shqipëri në kuader të projektit REINVEST. Herën e dytë ka përfituar bazë ushqimore, dhe kjo tepër e nevojshme dhe një ndihmë shumë e madhe për të.
Sot familja e Emanuelit ka 45 dhi të bardha si dëbora, të rralla si racë për këtë zonë, por mjaft të dobishme për ekonominë familjare të tyre.Ato e pasurojnë akoma më shumë peizazhin e këtij fshati mahnitës, dhe duken si një ftesë këmbëngulëse, që të kthehen edhe të tjerët.