Deklaratë për shtyp

Loop

6.2%  e popullsisë me Aftësi të Kufizuar – Vështirësi në përfitimin e shërbimeve publike.

Në të gjithë vendin rezulton se 6,2 %[1] e shqiptarëve kanë një aftësi të kufizuar. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tregojnë se  janë  identifikuar 140.840 persona me aftësi të kufizuar.  67.741 e tyre  janë përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar. Gjatë tre dekadave të fundit ka rezultuar se këta qytetarë hasin vështirësi në sigurimin e arsimimit të përshtatshëm, formimin profesional, punësimin, lirinë e lëvizjes, krijimin e një jetese të pavarur, ushtrimin e të drejtave politike, aksesin në informacion dhe shërbime.

Shqipëria, si vend kandidat i Bashkimit Europian duhet të plotësojë disa kritere: përmirësimin e procesit të përfshirjes sociale, uljen e varfërisë dhe garantimin e të drejtave të njeriut.

Personat me aftësi të kufizuar  në vendin tonë kanë nevoja urgjente për të përftuar nga shërbimet sociale dhe shëndetësore. Ky komunitet është i përjashtuar nga të drejtat ligjore, për arsim, punësim dhe akses  në komunitet.

Monitorimi për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit është një ndër ndërhyrjet kryesore të projektit: “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri”.

Ky projekt, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të zbatohet në partneritet nga organizatat World Vision Albania, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe MEDPAK. Përmes tij synohet të fuqizohen organizata të shoqërisë civile dhe 33, 000 individë në Berat, Korçë, Lezhë dhe Dibër.

Gjatë tre viteve do të monitorohet aksesi i personave me aftësi të kufizuar në tetë fushat e Planit të Personave me Aftësi të Kufizuar. Të dhënat e  përftuara nga  raportet  e  monitorimit do të nxisin dialogun e munguar mes shoqërisë civile dhe institucioneve në nivel qendror dhe lokal. Ato do shërbejnë  edhe si evidenca  për institucionet ndërkombëtare, që vlerësojnë progresin e shtetit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Institucionet përgjegjëse në nivel qendor dhe lokal, do të nxiten të ndërmarrin masa afatshkurtra dhe të planifikojnë buxhete për përmirësimin e situatës së personave me aftësi të kufizuara duke u bazuar në treguesit e raporteve të monitorimit.

160 vullnetarë në katër rajone do të ndërmarrin projekte që i vijnë në ndihmë individëve me aftësi të kufizuar. Për herë të parë do të ndërtohet një platformë dixhitale që do të ofrojë informacione mbi çështjet e aftësisë së kufizuar.

Për informacione të mëtejshme kontaktoni:

Klodiana Kapo Tel: +355672056944     E-mail: klodiana_kapo@wvi.org

Vasilika Bargjo Tel: +355682035068    E-mail: vasilika_bargjo@wvi.org